Fehmije Gashi-Bytyqi, avokatja e Murat Jasharit, i cili u dënua për tentativë vrasjeje të Azem Vllasit me trajtim të detyrueshëm psikiatrik prej dhjetë vjetësh, po konsideron se ky dënim nuk është i duhuri.
Në një intervistë në Info Magazine të Klan Kosovës, ajo bëri të ditur se do të ankimohet për vendimin e shqiptuar nga Gjykata Themelore.
“Masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik është ireale dhe joligjore, nisur nga fakti se në këto raste -ndoshta trupi gjykues nuk është ballafaquar më parë me raste të tilla – janë të obliguar të vendosin konform mendimit profesional të ekspertëve”.
“Prokuroria ka kërkuar mendimin e ekspertëve mjekësor. Kemi mendimin e mjekëve nga spitali i burgut të Zvicrës dhe kemi provat në aspektin mjekësor. Mendimi edhe i mjekëve të Zvicrës edhe i mjekëve tanë ka qenë i njëjtë. Rekomandimi i tyre ka qenë që Murat Jashari të kthehet në vendin ku e ka bashkëshorten dhe djemtë dhe të trajtohet në spitalin ku ka qenë edhe më parë, ngase diagnioza e tij nuk pritet të shërohet. Të kthehet ne Zvicër ta kalojë atë kohë sado pak qe i ka mbetur”.
Avokatja Gashi-Bytyqi tha se klienti I saj, Murat Jashari është diagnostifikuar me skizofreni akute të nivelit më të lartë dhe se duhet të këtë trajtim të përjetshëm.
Tutje ajo vuri në dyshim ekzistimin e një grupi të organizuar duke thënë se prokuroria nuk mundi ta bëjë ndërlidhjen e Murat Jasharit me këtë.
“Problem është të bëhet ndërlidhja me grupin e organizuar dhe të strukturuar. Si mund të jenë grup i organizuar dhe i strukturuar kur në video shihet që janë në një odë të mbledhur burrat duke treguar atdhedashurinë – aty po vjen klienti im Murati, që jo atë, po secilin mysafir e mirëpresin. Prokuroria nuk mundi ta bëjë ndërlidhjen e një grupi të organizuar”.
“Konsideroj se nuk është bërë kjo lidhmëri dhe nga ajo çka njoh nga provat nuk ka. Këta persona më shumë më duken si viktima që janë mbledhur prej një dëshire, siç e kanë pjesa dërmuese e shqiptarëve, për të treguar atdhedashurinë dhe Murati nuk ka lidhmëri aty”.
“’Syri i Popullit’ është një pjellë qe i ka hy në kokë të mbrojturit tim, në gjendjen shëndetësore çfarë është”.