Avonet: Greva e paarsyeshme, SBAShK-u një grup me interesa personale

Prishtinë | 20 Jan 2019 | 21:28 | Nga Ekonomia Online

Rrjeti i OJQ-ve “Avonet” ka shprehur shqetësimin e thellë për gjendjen me të cilën ka krijuar SBASHK-u, duke mos zhvilluar procesin arsimor në Republikën e Kosovës.

“Një gjendje jo e mirë e cilësisë në arsim, me shumë probleme, mosangazhim i duhur i mësimdhënësve, nuk ka arritur të kemi një cilësi të duhur në këtë sektor. Po ashtu SBASHK-u ka iniciuar të ketë greva, me ç’rast drejtpërdrejt pësojnë nxënësit, studentët etj. Këto pasoja duhet të jenë një përgjegjësi e madhe e krerëve të SBASHK-ut”, thuhet në një komunikatë të kësaj organizate joqeveritare.

“Mësimdhënësve, nga viti 2003 deri më tani, iu është rritur rroga në vazhdimësi, por jo disa prej sektorëve të veçantë, siç janë inspektorët, mjekët, policë, pjesëtarët e FSK-së, zjarrfikësit, shërbyesit civilë, e shumë të tjerë të cilët kanë pasur rezultate më shumë sesa sektori i arsimit”.

“Vendimi i kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, për rritje të pagave tregon se institucionet e Republikës së Kosovës respektojnë këtë sektor. Andaj AVONET kërkon nga SBASHK-u të ndërpresë grevën dhe të fillojë mësimin. Po ashtu kërkojmë nga kryetarët e komunave që të kërkojnë përgjegjësi prej udhëheqësve të shkollave për të filluar mësimin”, thekson rrjeti i OJQ-ve “Avonet”.

Të ngjashme