Parlamenti Studentor: Këshilli Drejtues i UP-së shqipton vërejtje me shkrim ndaj rektorit Arben Hajrullahu

Prishtinë | 27 Nën 2026 | 13:07 | Nga Ekonomia Online

Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, përmes një komunikate ka njoftuar se Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës ka shqiptuar masën e vërejtjes me shkrim ndaj rektorit Arben Hajrullahu, pas një shkrese të dorëzuar nga Parlamenti Studentor më 19 nëntor.

Sipas Parlamentit Studentor, Hajrullahu bëhet rektori i parë në historinë e Universitetit të Prishtinës që merr një masë të tillë nga organi më i lartë drejtues i institucionit.

Në reagimin e tyre, përfaqësuesit studentorë kanë kërkuar publikimin e plotë të përmbajtjes së vërejtjes, duke theksuar se transparenca është detyrim institucional dhe jo çështje vullneti.

Ata kanë kritikuar gjithashtu menaxhimin e deritanishëm të universitetit, duke vlerësuar se masa e shqiptuar nuk i zgjidh problemet e studentëve dhe as krizat institucionale.

Në shenjë proteste dhe në kërkim të llogaridhënies, Parlamenti Studentor ka bërë të ditur se senatorët studentorë do ta bojkotojnë mbledhjen e Senatit.

“Nuk mund të kërkosh përgjegjësi nga studentët, ndërkohë që shmang përgjegjësinë për veprimet e tua”, thuhet në reagimin e Parlamentit Studentor.

Në fund të reagimit, studentët kanë theksuar se Universiteti i Prishtinës nuk është pronë e rektorit dhe se askush nuk është mbi institucionin.

Reagimi i plotë i Parlamentit Studentor:

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës, pas shkresës së deponuar nga Parlamenti Studentor më 19 nëntor, i ka shqiptuar masën e vërejtjes me shkrim Rektorit, Arben Hajrullahu.

Me këtë vendim, sipas informacioneve që disponojmë, Arben Hajrullahu bëhet rektori i parë në historinë e Universitetit të Prishtinës që merr vërejtje me shkrim nga organi më i lartë drejtues i Universitetit.

Rektori, i cili vazhdimisht ka kërkuar përgjegjësi nga studentët, sot duhet të japë vetë llogari për veprimet e tij. Ai që duhej të garantonte stabilitetin institucional, respektimin e rregulloreve dhe komunikimin akademik, sot përballet me një masë nga vetë Këshilli Drejtues.

Parlamenti Studentor kërkon publikimin e plotë të përmbajtjes së vërejtjes. Transparenca nuk është çështje vullneti, por detyrim institucional.

Shqiptimi i kësaj mase nuk i zgjidh problemet e studentëve, nuk i zhbën krizat institucionale dhe nuk e përjashton Rektorin nga përgjegjësia për keqmenaxhimin e deritanishëm.

Senati nuk mund të vazhdojë punimet sikur asgjë të mos ketë ndodhur. Për këtë arsye, senatorët studentorë do ta bojkotojnë mbledhjen e Senatit në shenjë proteste dhe në kërkim të llogaridhënies institucionale.

Nuk mund të kërkosh përgjegjësi nga studentët, ndërkohë që shmang përgjegjësinë për veprimet e tua.

Universiteti nuk është pronë e Rektorit. Askush nuk është mbi institucionin!

Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës

Të ngjashme