Zyrtari për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun i AAK-së, Ardian Azemi aksionin e sotëm të shtetit të Kosovës në kufi me Serbinë e ka quajtur aksion në shërbim të kandidatëve për kryetar të Komunave nga Vetëvendosja, e më së shumti në shërbim të atij për Mitrovicë, Agim Bahtiri.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Azemi ka thënë se është e pakuptimtë që pak para aksionit, kandidati i VV-së për kryetar të Mitrovicës, Agim Bahtiri publikon fotografi bashkë me pjesëtarë të Policisë.
“Aksionit të sotëm të shtetit në kufi me Serbinë, deshëm ose jo ta pranojmë i kanë paraprij sondazhet e kohëve të fundit, si i tillë është në shërbim të kandidatëve të Vetëvendosjes për kryetar komunash, në këtë rast më shumë të kandidatit për kryetar të Mitrovicës, Agim Bahtiri. Ende pa filluar aksioni i Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, kandidati i partisë në pushtet realizon fotografi me pjesëtarë të Policisë. Pra, para aksionit”, ka shkruar Azemi.
Sipas tij, aksioni i sotëm është përpjekje për ta mbuluar heqjen e tarifave për produktet serbe me të cilat është mbushur tregu i Kosovës.
“Reciprociteti do të duhej të vendosej më kohë, menjëherë pas konstituimit të Kuvendit dhe të Qeverisë. Ky aksion i sotëm është mashtrim, është përpjekje për ta mbuluar heqjen e tarifave për produktet serbe me të cilat është mbushur tregu i Kosovës”, ka shtuar ai.
Azemi ka thënë se arroganca e numrave ka me marrë në qafë Republikën e Kosovës. “Pra, aksioni i sotëm në kohë fushate është mbi të gjitha shërbim ndaj një kandidati për kryetar komune. Reciprociteti përnjëmend vendoset ndryshe, është kundërpërgjigje për secilën temë të hapur. Pajtohem plotësisht, si aksion është në përputhje të plotë më Kushtetutën, sepse shteti duhet ta shtrij autoritetin e tij në tërë territorin, por telashe kam me kohën dhe mënyrën”.
“Shteti nuk duhet të konsiderohet si pronë e një individi a grupimi politik. Arroganca e numrave ka me e marrë në qafë Republikën tonë”, ka përfunduar Azemi.