Visar Azemi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar lidhur me një incident që ka ndodhur sot në KEK. Azemi ka thënë se Qeveria Kurti për 4 vite s’ka ndërtuar asnjë kapacitet të ri gjenerues për energji, ndonëse me Strategjinë 2022-2031 parashihen investime.
Azemi thotë se tashmë kur po shkohet drejt dimrit dhe kur kërkesa për energji do të rritet dukshëm, prodhimi aktual s’mjafton. Si rezultat i kësaj, Azemi shton se Kosova do të jetë e detyruar të blejë energji nga jashtë me çmime shumë më të larta, duke e rritur çmimin për qytetarët.
Reagimi i plotë:
Për 4 vite të kësaj qeverie, nuk është ndërtuar asnjë kapacitet gjenerues i ri për energji, ndonëse me Strategjinë për Energji 2022-2031, parashihen investime.
Kur po afrohemi drejt muajve të dimrit dhe kërkesa për energji elektrike do të rritet dukshëm, prodhimi aktual në Kosovë nuk është i mjaftueshëm. Kjo na detyron të blejmë energji nga jashtë me çmime shumë të larta, duke rritur çmimin për qytetarët tanë.
Avaritë në termocentralet tona, të cilat kanë kaluar jetëgjatësinë e tyre të parashikuar, janë të papritura dhe të rrezikshme.
Përveç ndërprerjes së prodhimit, këto avari rrezikojnë jetët e punëtorëve, siç u dëshmua me shpërthimin e sotëm në Termocentralin Kosova A.
Kujtojmë që Termocentrali Kosova A është dashur të mbyllet që nga viti 2017, duke e bërë këtë një shkelje të vazhdueshme të rregullave të cilësisë së ajrit, e cila po dëmton shëndetin e qytetarëve tanë çdo ditë.
Çdo vonesë në investime po na sjell pasoja të rënda, duke na lënë të varur nga importet dhe duke rrezikuar stabilitetin energjetik të vendit.
Në programin tonë “Rruga e Re”, ne kemi paraparë ndërtimin e një centrali me gaz prej 500 megavatësh, i cili do të kushtojë 500 milionë euro dhe do të bë zgjidhjen e duhur të furnizimit me energji, duke përmbushur nevojat tona.
Kjo qeveri duhet të japë përgjegjësi për dështimet në energji. Është koha për veprime të shpejta dhe konkrete.