Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka paralajmëruar se do të mbajnë protestë të martën dhe të mërkurën e javës së ardhshme.
Kjo, për përmbushjen e kërkesave të punëtorëve për rritjen e pagave deri në 350 euro.
Azemi në Express Intervista ka thënë se në vazhdën e protestave janë zgjedhur Rektorati i Prishtinës, Qendra Studentore dhe Komuna e Prishtinës.
“Janë disa kompani që kryejnë shërbime dhe në vazhdën e protestave kemi zgjedhur Rektoratin, Qendrën Studentore dhe Komunën e Prishtinës. Kur kemi hyrë në këto kompani kemi gjet punëtor që kanë filluar punën me 150 euro por tash kemi punëtor që kanë pagën neto 250. Është e rëndësishme që punëtoret e sektorit privat të marrin iniciativë për rritjen e pagave”, ka thënë ai, duke shtuar se do të insistojnë që të mos ketë pagë nën 350 euro.
“Javën e ardhshme të martën dhe të mërkurën janë protestat. Të enjten do të shohim nëse ka lëvizur diçka. Ndërkaq të etjen dhe të premten do të shohim se kur do të futemi në grevë”, ka shtuar tutje Azemi.
Ai ka thënë se tjetërsimi i pozitës nga punëtor publik në atë privat ka ndodhur padrejtësisht duke shtuar se askund nuk është gjetur dokument zyrtarë që të tjetërsohet pozita e tyre nga punëtorë publik në atë privat.
“Kemi sinjale që në Komunën e Gjilanit do të kthehen këta punëtor në vendin ku kanë qenë sepse një transformim i tillë nuk ka qenë i drejtë. Një kompanie i jepet punë që një punë do ta kryejë më 100 punëtor, kur e merr kontratën ajo kompani punën e kryen me 60-70 punëtor dhe pagat e atyre shkojnë tek gjepat e individëve”, ka thënë ai.
Duke folur për vonesat në paga, Azemi thotë se në fillim ka pasur telashe për pagat dhe trustin pensional, por se kjo është zgjedhur me mirëkuptim të kompanive.
Sipas tij shumë kontrata mes institucioneve dhe kompanive kontraktuese nuk po nënshkruhen sepse ata nuk janë të gatshëm të paguajnë 350 euro.
“20 minuta pata se me hy në konferencë, Komuna e Prishtinës më ka ofruar dokument zyrtarë, ku rritja e pagës së punëtorëve teknik do të bëhet dhe do të jetë mbi 500 euro. Tek ne ka filluar të ndryshojë mentaliteti i pronarit, punëtorit e shtetit, në javën tjetër do të kemi mbi 1000 punëtor në protesta dhe deri tash asnjë kërcënim nga pronarët nuk ka pasur për punëtoret që do të dalin në protestë”, ka thënë ai.
Sipas tij, pronarët e kompanive kanë premtuar që do ta zbatojnë ligjin e punës.
“Me këta punëtor edhe nëse lypim 600 euro rrogë besoj ia dal. Nëse shkojmë në kompani për të kërkuar përmirësim të kushteve nuk e përmendim punëtorin që është ankuar”, ka thënë ai.
Ai thotë se shumë ligje që janë sjellë në Kosovë janë sjellë me prapavijë politike.
Sipas tij, nuk është logjikë që një punëtor që punon 10 orë në ditë ta merr një pagë sa të veteranit i cili mund edhe të punojë diku tjetër.
“Tanimë oferta dhe kërkesa kanë ndryshuar. Çështjet kanë ndryshuar, neve dhe punëtorëve nuk na intereson sa e cakton shteti pagën, neve na intereson ta kërkojmë djersen tonë”, ka thënë ai.
Azemi thotë se rritjet e pagave po ndodh për shkak se profesionistët po dalin në shtetet e perëndimit. Ai thotë se është tërhequr vërejtja për vite të tëra se duhet të rriten pagat sepse punëtorët po emigrojnë.
“Është e vërtetë që shumë kompani janë në mungesë të punëtorëve. Kemi vende në Kosovë që punëtorët nuk janë adekuat me punën që e kryejnë. Tashmë edhe punëtori e ka krenarinë e vet dhe e dinë që puna që ai bënë duhet të vlerësohet më shumë”, ka përfunduar Azemi.