Hilmi Haradinaj fillimisht është pranuar ne QKUK, pastaj ka kaluar në një spital privat
Babai i Kryeministrit Ramush Haradinaj, Hilmiu, me probleme shëndetësore në zemër, kishte shkuar të premten para orës 15 në Klinikën e Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Por, aty, babai i Kryeministrit nuk e ka vazhduar shërimin. Ka shkuar në një spital privat në dalje të Prishtinës.
Daut Haradinaj e ka konfirmuar se babanë fillimisht e kanë dërguar në QKUK e pastaj në privat. Ka thënë se nuk i di arsyet se pse e kanë hequr nga spitali publik pasi ka qenë në seancë të Kuvendit.
“E patëm pak në QKUK, por aty, por tash e dërgum për një ndërhyje. Por, s’e di tash”, ka thënë Haradinaj.
I pyetur pse e kanë hequr nga QKUK-ja, Haradinaj ka thënë se nuk i di arsyet.
“Nuk e di. Jam kanë në seancë”, ka shtuar ai.
Vëllai i Kryeministrit ka thënë se janë duke pritur se çfarë do të thonë mjekët për gjendjen e babait.
Ndërkohë, kardiologu në repartin e Kardiologjisë në QKUK, Fisnik Hima, ka thënë se babai i kryeministrit është dërguar në privat aty ku i kishte bërë më herët intervenimet.
“Në spital privat është. Nuk është në të shtetit. Në spital tonin nuk është. E kanë dërgu në spitalin ku i ka bërë më herët intervenimet”, ka thënë Hima, për Express, të shtunën.