Më 5 korrik 2012, dy shqiptarë të Kosovës, babë dhe bir, mbushën makinën me armë dhe shkuan te një shtëpi, ku banonte vajza e shtëpisë së tyre me burrin e saj. Në fjalosje e sipër, ata vranë dhëndrin dhe babanë e tij.
Krimi u krye me një pushkë të ushtrisë zvicerane dhe me një revole SIG 225, të blerë ilegalisht.
Sipas gazetës “Oltner Tagblatt” arsyeja e vrasjes ishte kjo: babë e bir akuzonin familjen po ashtu kosovare se po e trajtonte keq vajzën e tyre.
Në shkurt të vitit të kaluar dy vrasësit u dënuan me burg shumëvjeçar. Babai mori 17 vjet burg, ndërsa djali i tij 20 vjet. Ndërkohë ata janë ankuar kundër vendimit të shkallës së parë dhe që nga e hëna ndodhen sërish para gjyqit. Djali kërkoi që dënimi t’i reduktohet, sepse kishte sulmuar në vetëmbrojtje dhe jo për arsye egoiste. Babai i tij mohoi të ketë shtënë dhe kërkoi të shpallet i pafajshëm. Ai nuk ishte i pranishëm në seancën e djeshme.
Avokati i tij tha se ishte informuar prej tij se gjendej në Kosovë, ku do të qëndronte edhe disa ditë për t’u mjekuar nga disa probleme me zemër.
Në paraqitjen e tij para trupit gjykues, avokati i djalit gjeti disa arsyetime skandaloze mbi vrasjen. Ai tha se bëhej fjalë për një vrasje të paplanifikuar. Si punëtor i një firme të sigurisë, klienti i tij nuk kishte fjetur tri ditë dhe rrjedhimisht ishte agresiv.
Avokati shtoi se «në kulturën kosovare, dhuna është diçka normale». Disa plumba të shkrepur, sipas avokatit, ishin të shtëna paralajmëruese, jo hapje zjarri ndaj viktimave.
Këtë version të ngjarjes e kundërshtoi prokurori, duke thënë se nuk bëhej fjalë për vetëmbrojtje, por për vrasje, me ç’rast viktimat ishin bërë shoshë nga plumbat.
Një avokat i familjes së dëmtuar tha ngjarje ishte një ekzekutim tejet brutal, një masakër e vërtetë.
Para gjykatës djali deklaroi se është rritur me vlerat e Kosovës, ku solidariteti familjar luan rol të madh. Ai tha se vetëm kishte dashur ta ndihmonte motrën e tij. Nga perspektiva e sotme «do të veproja ndryshe», tha ai. Vendimi i gjykatës shpallet të premten.