Bahtiri: Kam pritur që Thaçi do ta padisë Dick Martyn, jo mua

Prishtinë | 06 Pri 2020 | 17:50 | Nga Ekonomia Online

Pas kallëzimit penal të bërë nga Hashim Thaçi ndaj Agim Bahtirit, me pretendimin se e ka frikësuar opinionin publik dhe e ka bërë të ndjehet e kërcenuar familjen e tij, ka reaguar kryetari i Mitrovicës duke thënë se nga presidenti ka pritur të bëjë kallëzim penal ndaj Dick Martyt.

Deponimi i Kallëzim Penal në Prokurorinë e Shtetit nga Presidenti Thaçi kundër kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtirit, ka ardhur pas një deklarate të këtij të fundit ku përmendet rreziku i vëllavrasjes si pasojë e veprimeve të presidentit, por që i pari i Mitrovicës thotë se ky deklarim i është nxjerrë nga konteksti.

Bahtiri ka thënë pikat e renditura në Kallëzimin e tij Penal më shumë i ngjanin një fontane dëshirash, se sa një baze ligjore në të cilën mund të thirrej.

“Jam i befasuar me një veprim të tillë që paska bërë presidenti Thaçi, pasi që unë kam prit se ai do t’i bënte kallëzim penal ndaj Dick Martit, e jo mua. Unë asnjëherë në jetën time nuk kam kërcënuar askënd personalisht, e aq më pak familjen e askujt. Unë jam i gatshëm 24 orë në ditë që t’i jepi sqarime organeve të drejtësisë, pavarësisht se një herë veçse kam dhënë deklaratë”, ka thënë Bahtiri

Ai thotë se pavarësisht kallëzimit penal nga Thaçi, ai po vazhdon angazhimin e tij të pandërprerë për t’ju qendruar pranë qytetarëve të Mitrovicës në këtë kohë të vështirë që po kalon bota me pandeminë e koronavirusit COVID-19.

“Gjithë angazhimi im do të jetë i fokusuar në lehtësimin e jetesës së qytetarëve, ndërsa atyre që merren me ndryshim të kontekstit të deklaratave të mia, ju them që është më mirë që këtë energji negative ta shndërroni në energji pozitive për Kosovën”, ka theksuar Bahtiri për Veriu.info.

Çështjen e kallëzimit penal ndaj Dick Martyt Agim Bahtiri e ka përmendur duke u ndërlidhur me një deklarim të Hashim Thaçit, i cili ishte zotuar se do ta padiste atë për shkak të publikimit të raportit ku e lidhte UÇK-në me disa krime të pretenduara.

“Dick Marty duhet të gjejë avokatë të mirë – nëse mundet t’i gjejë ndonjë që ta mbrojnë atë – sepse në asnjë mënyrë ai nuk mundet t’i ikë drejtësisë për shpifjet e tij,” deklaronte Thaçi për Reuters duke paralajmëruar padinë në vitin 2010.

Të ngjashme