Kryetari i Mitrovicës jugore, Agim Bahtiri ka dalë në konferencë për media menjëherë pas votimit unanim në asamble për iniciativën e bashkimit të pjesës veriore me atë jugore.
Bahtiri ka kërkuar përkrahjen e institucioneve qendrore në këtë iniciativë e cila si kërkesë ju drejtohet pikërisht atyre.
“Kërkoj nga kuvendarët e Republikës së Kosovës që ta bëjnë realitet këtë kërkesë tonën, pasi është njerëzore dhe e drejtë. Kemi bërë të pamundurën që të bashkëpunojmë të japim shërbime pavarësisht nga nacionalitetet”.
“Ne kërkojmë që Qeveria ta bëjë këtë. Ne kemi marrë këtë iniciativë dhe kërkoj nga Qeveria dhe Parlamenti që ta bëjnë realitet” është shprehur Bahtiri.
Sa i përket mundësisë që iniciativa e nisur nga ai të mos realizohet, Bahtiri është përgjigjur: “Nuk besoj që dikush del mbi popullim, sepse është i zgjedhur nga populli dhe duhet ta dëgjojë popullin. Dëshiroj paqe, dhe qetësi”.
“Nga 2013 kam punuar për paqe me gjithë bashkësinë ndërkombëtare për të sjellë paqe në Mitrovicë. Nuk e dëshiroj te keqen e qytetarëve pavarësisht nga cili nacionalitet vijnë. Nuk besoj se një lider qoftë kryetari i shtetit, ministër apo kuvendar që nuk e dëshiron që t’i ndihmojë qytetarët dhe ta dëgjojë zërin e tyre”.