Bahtiri thirrje Qeverisë Kurtit: Lërini autostradat, krejt buxhetin përdoreni për armatim

Prishtinë | 22 Shk 2022 | 15:41 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i ndalë të gjitha projektet e investimeve kapitale dhe buxhetin e dedikuar për to ta ridestinojë komplet për armatosjen e Ushtrisë së Kosovës.

Apeli i tij vjen pas ngjarjeve në Ukrainë.

“Pas njohjes të pavarësisë së Luhanskut dhe Donbasit nga Rusia, dhe hyrjes ushtarake në këto zona nga ushtria ruse, Republika e Kosovës duhet të tregohet shumë e vëmendshme me situatën në veri”, ka shkruar Bahtiri, në faqen e tij në Facebook.

Ai e ka shoqëruar postimin me një foto të tij, në shoqërinë e kryeministrit Kurti.

“Z. Kryeministër Albin Kurti, unë në Vetëvendosje kam ardhur sepse kam besuar dhe besoj që jeni të përkushtuar maksimalisht për mbrojtjen e veriut të Kosovës, i cili ishte harruar nga qeveritë paraprake”

“Pas shpërthimit të konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës rendi i ri global ka tendencë për të ndryshuar, e që dihet se Serbia gjithmonë ka qenë dhe është vegël e Rusisë për destabilizimin e Ballkanit në përgjithësi dhe Kosovës në veçanti. Andaj nuk duhet të rrimë duarkryq përballë kësaj situate, por ta armatosim Ushtrinë tonë për aq sa është e mundshme, duke i lënë anash për një kohë autostradat e projektet e ngjashme”, ka analizuar Bahtiri.

POSTIMI I PLOTË I BAHTIRIT:

Pas njohjes të pavarësisë së Luhanskut dhe Donbasit nga Rusia, dhe hyrjes ushtarake në këto zona nga ushtria ruse, Republika e Kosovës duhet të tregohet shumë e vëmendshme me situatën në veri.

Prej vitit 1999 Serbia qëndron praktikisht në gjendje gatishmërie për ta aneksuar veriun e Kosovës, por që gjithmonë ka pritur të krijohen situata të reja gjeo-politike që do ta favorizonin.

Pas pushtimit të një pjese të Ukrainës nga Rusia, edhe aleati i saj në Ballkan me në krye Vuçiqin duket se nuk ka vullnet të ruaj paqen në rajonin tonë.

I bëjë apel Qeverisë së Kosovës që t’i ndalë të gjitha projektet e investimeve kapitale dhe buxhetin e dedikuar për to ta ridestinojë komplet për armatosjen e Ushtrisë së Kosovës.

Në maj të vitit 2021 kam nënshkruar kontratë me Ministrinë Mbrojtjes për t’i dhënë në shfrytëzim 195 hektarë tokë në fshatin Cërnushë të Mitrovicës për ndërtimin e bazës ushtarake të FSK-së, nga e cila veriu monitorohet plotësisht. Pas zhvillimeve aktuale, fillimi i ndërtimit të menjëhershëm të saj është nevojë urgjente.

Z. Kryeministër Albin Kurti, unë në Vetëvendosje kam ardhur sepse kam besuar dhe besoj që jeni të përkushtuar maksimalisht për mbrojtjen e veriut të Kosovës, i cili ishte harruar nga qeveritë paraprake.

Pas shpërthimit të konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës rendi i ri global ka tendencë për të ndryshuar, e që dihet se Serbia gjithmonë ka qenë dhe është vegël e Rusisë për destabilizimin e Ballkanit në përgjithësi dhe Kosovës në veçanti. Andaj nuk duhet të rrimë duarkryq përballë kësaj situate, por ta armatosim Ushtrinë tonë për aq sa është e mundshme, duke i lënë anash për një kohë autostradat e projektet e ngjashme.

Të ngjashme