Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka komentuar për seancën e nesërme për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, duke theksuar se nuk ka kryeministër tjetër të kësaj Qeverie pos atij aktual e që është Albin Kurti.
Bahtiri në Klan Kosova ka thënë që megjithatë do ta respektojë vendimin e deputetëve të zgjedhur nga populli.
“Do ta respektoj vendimin e deputetëve të zgjedhur nga populli. Nga 6 tetori dhe deri në zgjedhjet e ardhshme, kryeministër i Kosovës do të jetë vetëm Albin Kurti. Kjo le të jetë e qartë për të gjithë. Ne i lëmë këto lojëra të Thaçit dhe po më vjen turp prej mikut tim Haradinaj pasi del përsëri dhe i bashkëngjitet atij”.
“Më vjen keq prej mikut tim Ramush Haradinaj që e ka ditur shumë mirë se kush është Hashim Thaçi dhe përsëri del dhe e përkrah. Çka mendojnë që do të bëjnë qeveri teknike? Këtë le ta harrojnë. Nuk ka kryeministër të kësaj qeverie përpos Albin Kurtit”.
“Ata që merren me këto tema në këtë situatë është një turp i madh, sidomos i Isa Mustafës i cili është peng i Hashim Thaçit dhe kjo do të vërtetohet. Turp i atyre që do të votojnë për rrëzimin e kësaj qeverie”.