Bajqinovci: Kosova po respekton marrëveshjen, BE duhet t’i heqë masat – Serbia bën shkelje, s’ka pasoja

Prishtinë | 15 Gus 2023 | 19:44 | Nga Ekonomia Online

Ende nuk dihet se kur do të mbahet takimi i radhës në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Edhe pse ishte raportuar se një takim i tillë mund të ndodhë në shtator, nga Qeveria e Kosovës kanë thënë për Gazeta Blic se kur të konfirmohet data, do të ketë njoftim.


Në anën tjetër, masat e BE-së ndaj Kosovës ende nuk janë hequr, pavarësisht se Kosova ka nisur me hapat për deeskalim të situatës në veri.Lidhur me këtë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se Kosova po e respekton marrëveshjen për deeskalim dhe masat duhet të largohen sa më parë.

“Për deeskalim të situatës tashmë ka një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Ajo po respektohet nga ana e Kosovës. Si rezultat i saj por edhe situatës së përmirësuar masat e BE-së besoj që duhet të largohen sa më parë”, thotë ai.

Sa i përket takimit Kurti-Vuçq në Bruksel, Bajqinovci vlerëson se ato duhet të jenë në shërbim të zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj, që po shkelen nga Serbia, ndaj të cilës s’ka asnjë pasojë.


“Për sa i përket takimeve në Bruksel, unë mendoj se ato duhet gjithmonë të jenë në shërbim të zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj, të cilat për fat të keq vazhdimisht janë shkelur nga Serbia, pa asnjë vërejtje apo pasojë nga BE-ja”, deklaron deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci./Gazeta Blic/

Të ngjashme