Bajraktari: Besimi në Gjykatën Speciale nuk ndërtohet me “ligjërata”, por me transparencë dhe paanshmëri

Prishtinë | 22 Jan 2026 | 18:35 | Nga Ekonomia Online

Avokati Ardian Bajraktari ka reaguar përmes një postimi publik lidhur me veprimet e Dhomave të Specializuara, duke vënë në pikëpyetje qëllimin dhe efektin e ligjëratave të organizuara nga kjo gjykatë, në një kohë kur, sipas tij, besueshmëria e saj është në rënie.

Bajraktari thekson se çdo gjykatë ka për obligim zbatimin e Kushtetutës, ligjit dhe instrumenteve ndërkombëtare, pa përjashtim.

“Roli dhe qëllimi i çdo gjykate është zbatimi i Kushtetutës, ligjit dhe instrumenteve ndërkombëtare, nga ky rregull nuk përjashtohen as Dhomat e Specializuara”, ka shkruar ai.

Sipas tij, një procedurë gjyqësore e rregullt duhet të bazohet në transparencë, objektivitet dhe paanshmëri.

“Si çdo gjykatë, sikurse në çdo procedurë, për të qenë e rregullt, ajo fillimisht duhet me qenë transparente, objektive dhe e paanshme”, thekson Bajraktari.

Ai ka kritikuar ashpër edhe pranimin e provave nga Serbia, duke e cilësuar atë si regjim gjenocidal.

“Nuk duhet të pranojë prova nga një shtet e regjim gjenicidal, i cili është bombarduar nga aleanca më e fuqishme e botës demokratike, NATO-ja”, ka shkruar ai.

Bajraktari vlerëson se në rrethana të tilla, organizimi i ligjëratave nuk ka asnjë kuptim.

“Kur ndodhin këto veprime s’ka nevojë fare të mbahen ‘ligjërata’ për rolin dhe procedurat, ngase po të kishte transparencë ato do të ishin mjaftueshëm të njohura dhe në zbatim”, thekson ai.

Sipas tij, për ekspertët dhe opinionin e gjerë, ligjëratat janë një përpjekje e pasuksesshme për të rikthyer besimin e humbur.

“Për ekspertët, mbase edhe opinionin e gjerë, ‘ligjëratat’ janë tentativë e dështuar”, ka shkruar Bajraktari.

Ai shton se besimi nuk mund të ndërtohet pa trajtim objektiv dhe transparencë reale.

“Nuk rritet besimi me ‘ligjërata’, për aq kohë sa nuk ka pasur trajtim objektiv, nuk ka pasur transparencë e janë pranuar prova nga regjimi gjenocidal, kreator dhe ekzekutues i krimeve”, ka theksuar ai, duke shtuar se “historia është shkruar, ajo nuk mund të rishkruhet e as ndryshohet. ADN e lirisë tonë është UÇK!”.

Të ngjashme