Avokati kosovar, Ardian Bajraktari thotë se letra e dërguar drejtë Blinkenit e Borellit nga politaknët ndërkombëtarë nuk do të ketë ndonjë efekt të madh.
Bajraktari në një prononcim për GazetaBlic ka kritikuar qasjen e BE-së karshi Kosovës, duke potencuar se kjo e fundit nuk është korrekte me Kosovën.
Ai shtoi se për të gjitha masat ndëshkuese, faji shkon tek Qeveria e Kosovës për shkak të mos-koordinimit me ndërkombëtarët.
“Masat ndëshkuese nga BE-ja, për Kosovën erdhën si rezultat i veprimeve dhe vendimeve, ndonëse ligjërisht në rregull, por të pa koordinuara nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës me aleatët, në raport me qasjen ndaj pjesës veriore. Problemi në veri, është problem politik, andaj edhe qasja duhet të jetë e tillë. Për rrjedhojë Kosova, u përballë e po përballet me masa ndëshkuese nga ana e BE-së, por me politikë më mirë të koordinuar, besoj se nuk do të vinte kjo situatë”, tha Bajrakatari.
Sipas tij, kjo letë në një anë tjetër është tentativë për tejkalimin e ngërçit të procesit të dialogut.
“Letra e politikanëve të BE-së, drejtuar Blinkenit, Borellit dhe Cleverleyt duhet parë si hap pozitiv, por jo me ndonjë efekt të madh. Megjithatë, duhet vlerësuar si tentativë në drejtim të një qasjeje më të balancuar të BE-së, në raport me palët, e gjithë kjo në drejtim të tejkalimit të ngërçit në të cilin është futur procesi i dialogut”, thotë Bajraktari.
“BE-ja, po luan lojën e shkopit dhe të karotës, ajo ndonjëherë nuk është fer dhe korrekte në raport me të dyja palët, veçmas në raport me qasjen ndaj Serbisë.Institucionet tona, duhet ta shohin interesin strategjik në koordinim me institucionet e partnerëve strategjikë, ShBA dhe BE-në, si drejtim jetik për të tashmen dhe të ardhmen tonë”, tha ai për GazetaBlic.