Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, priti në takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, me të cilin ka diskutuar për rritjen e koordinimit ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë me qëllim të intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.
Ministrja Bajrami e informoi ambasadorin Minxhozi lidhur me aktivitetet e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe Qeverisë së Kosovës në përmirësimin e mjedisit afarist në vend.
Ajo tha se Qeveria e Kosovës po vazhdon me ritëm të lartë ndërmarrjen e reformave strukturore ekonomike të cilat kanë në qendër të vëmendjes lehtësimin e punës së bizneseve.
Bajrami shtoi se bashkëpunimi ekonomik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë duhet të intensifikohet sepse ka fusha të shumta në të cilat bizneset nga të dyja vendet mund të përfitojnë shumë.
Nga ana tjetër, ambasadori Minxhozi e falënderoi Qeverinë e Kosovës për angazhimet e deritashme dhe shprehi gatishmërinë e plotë të Shqipërisë për të çuar përpara agjendën e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar në mes Kosovës dhe Shqipërisë.