Bajrami i drejtohet LVV-së: Nuk keni fitu, jeni t’u i ble votat në emër të varfërisë prej xhepave të qytetarëve

Prishtinë | 10 Pri 2026 | 19:15 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka kritikuar Qeverinë gjatë seancës së jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, duke e lidhur situatën e inflacionit me politikat e ekzekutivit gjatë shqyrtimit të Projektligjit për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg (Ligji për Çmimet Tavan), raporton Ekonomia Online.

Ajo tha se edhe në seancën e javës së kaluar për çmimet e derivateve, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka vepruar.

“Çka keni bërë për energjinë? Çka keni bërë për naftën? Asgjë nuk keni bërë. Ju rrini komplet indiferent në kohë të inflacionit, ndodh inflacioni, mandej ndërmerrni masa në kohë zgjedhjesh kushedi se për përballje me inflacionin, po ato janë për blerjen e votave dhe këto mjete që i qitni në treg e ushqejnë inflacionin, e ushqejnë inflacionin. Javën e kaluar ju refuzuat masat tona, sot në fakt e refuzuat rezolutën për me i heq diku 6 deri në 9 milionë euro në muaj, domethënë qeveria me i heq dorë prej të hyrave të cilat as nuk i ka planifikuar sepse sot është duke marrë 15 cent më shumë në secilin litër të naftës — dhe ju e refuzuat një gjë të tillë”, tha Bajrami.

Ajo shtoi se Qeveria, sipas saj, po krijon masa që ndikojnë në rritjen e inflacionit dhe më pas ndërmerr pako mbështetëse në kohë të zgjedhjeve.

“Mirëpo, dilni në televizione dhe na tregoni se si jeni në përgatitje të një pakoje prej 200 milionë euro. Çka po ndodh? Domethënë, njëherë po e stimuloni inflacionin sepse nafta është rritje e kostos për ato 7 miliardë euro produkte të cilat ne i importojmë. Njëherë domethënë ndodh rritja e çmimeve dhe mandej ju, për me i mirëmbajtë ato çmime, dilni dhe blini vota në kohë zgjedhjesh me 200 milionë euro. Dhe këto i kemi quajtur ne skemat e korrupsionit publik”, u shpreh ajo.

Bajrami tha se Qeveria Kurti i ka blerë votat prej qytetarëve të Kosovës.

“Domethënë ju nuk jeni t’u i fitu votat, jeni t’u i ble votat në emër të varfërisë prej xhepave të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Autorë dhe ekonomistë të famshëm botërorë thonë që inflacioni është taksim pa legjislacion. Kjo është çka ka ndodhë, sepse sot pa e ndryshuar asnjë pikë të legjislacionit, 15 cent shkojnë më shumë në buxhetin e Republikës së Kosovës për secilin litër të naftës. Inflacioni është rrjedhje e lirë e parave prej xhepave të qytetarëve në buxhetin e Republikës së Kosovës. Buxhet të cilin ju nuk e shpenzoni për barna, nuk e shpenzoni për rrugë, sepse krejt rrugët kanë mbetur në gjendje qysh kanë qenë, edhe më të këqija”, tha tutje ajo.

Të ngjashme