Shoqata e Shpezëtarëve të Kosovës të mërkurën është takuar me ministren në detyrë të Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, me të cilën kanë diskutuar për pakënaqësitë e fermerëve për importin e vezëve nga Shqipëria që shiten me çmim të lirë në tregun e Kosovës dhe të cilat dyshohet se janë vezë industriale me afat të skaduar për konsum final.
Fermerët kërkuan nga ministrja në detyrë Bajrami që të ndërmarrin masa antidamping, sepse sipas tyre ka shkelje të marrëveshjes së CEFTA-s me Shqipërinë.
Kryetari i shoqatës, Agim Sahiti, tha se si fermerë të organizuar në shoqatë nuk do të ndalen derisa ta ndërpresin këtë keqpërdorim të tregut të Kosovës, për arsye se fermerët janë duke punuar me humbje dhe rrezikojnë të falimentojnë, raporton KP.
Ai shtoi se fermerët janë të zhgënjyer shumë dhe nuk dihet se çfarë masash do të ndërmarrin në të ardhmen nëse vazhdon një dukuri e tillë.
Kryetari i kësaj shoqate tha se nuk do të qëndrojnë duar kryq për shkak se kanë bërë investime të mëdha dhe paralajmëroi se nuk do të lejojnë t’u shkojë huq krejt ky mund.
“Qëllimi i takimit ishte rreth problemit të importit të vezëve dhe qysh në fillim dëshiroj të shprehi shumë keqardhje që këtë problem e kemi prej një shteti shqiptar që s’do të kishim dëshiruar me pasur. Megjithatë, patjetër duhet t’i shqyrtojnë këto probleme dhe të merren masa që mos të dëmtohet njëri tjetri. Në këtë rast ne jemi shumë të dëmtuar prej importit të vezëve, sidomos rreth çmimit të tyre, për shkak se Kosova i plotëson nevojat 100 për qind dhe i tejkalon nga një herë. Andaj, nuk ka nevojë të kemi importe, por këtu është një shkelje e marrëveshjes së CEFTA-s, damping. Kështu që ky problem i takon MTI-së. Erdhëm në përfundim ku na premtoi ministrja se gjithçka që varet prej tyre do t’i marrin të gjitha masat që këtë dukuri negative me ndërprerë. Megjithëse kemi një vakum të qeverisë, problem e kemi edhe ne edhe këtë, mirëpo, këto shqetësime do t’i kenë parasysh”, tha Sahiti.
Ndërsa, ministrja në detyrë Hykmete Bajrami tha se duhet verifikuar nëse ka damping ose jo dhe duhet verifikuar ligjin nëse ka bazë për implementimin e Ligjit për masat mbrojtëse.
Sipas saj, që nga ky moment Departamenti i Tregtisë do të angazhohet për ta parë nëse ka bazë për implementim të ligjit dhe gjithashtu të fillojë hetimi për aplikimin e masave antidamping, duke bërë verifikimin nëse çmimet janë të dampuara.
“Tani ne kemi marrëveshjen e CEFTA-s, e cila implementohet edhe me Shqipërinë, kemi pasur disa probleme dhe vitin e kaluar, por falë bashkëpunimit tonë bilateral kemi arritur që t’i evitojmë të gjitha ato probleme. Rasti i vezëve ka qenë edhe në vitin e kaluar, mirëpo pas fillimit të hetimeve nga ana jonë është stabilizuar tregu. Tash grindemi prapë në të njëjtën pikë, ku fermerët tanë po përballen me të njëjtin problem. Andaj, ne duhet ta verifikojmë se ka damping ose jo dhe duhet ta verifikojmë ligjin se a ka bazë për implementimin e Ligjit për masat mbrojtëse. Që nga ky moment Departamenti i Tregtisë do të angazhohet në këto dy dimensione për ta parë nëse ka bazë për implementim të ligjit dhe gjithashtu të fillojë hetimi zyrtar për aplikimin e masave antidamping duke bërë verifikimin nëse çmimet janë të dampuara”, tha Bajrami.
Ajo tha se ka marrë për obligim që të zhvillojë një takim në zyrën e kryeministrit me përfaqësuesit e AUV, në mënyrë që të bëhen të gjitha analizat për ta parë nëse ka dyshime në kualitetin e vezës.
Sipas Bajramit, nëse konfirmohet se kualiteti i vezës është për industri dhe jo për konsum, Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit duhet t’ia heq licencën importuesit të vezëve.
“Këta kanë edhe një shqetësim tjetër, sepse në bazë të çmimit të vezëve të Shqipërisë që shiten në tregun e Kosovës ka të dyshime se ato janë vezë industriale me afat të skaduar për konsum final, unë mora për obligim që të zhvilloj një takim në zyrën e kryeministrit me përfaqësuesit e AUV në mënyrë që të bëhen të gjitha analizat për ta parë nëse ka dyshime në kualitetin e vezës. Nëse rezultohet se kualiteti i vezës është për industri dhe nuk është për konsumin final Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit mund të marrë menjëherë masat duke hequr licencën edhe importuesit, i cili bën importin e kësaj veze”, tha Bajrami.
Ndryshe, fermerët kanë protestuar gjatë ditës së djeshme para Agjencisë Ushqimit dhe Veterinës për të kërkuar bërjen e analizave për vezët e importuara nga Shqipëria.