Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Kelmendi për vdekjen e profesorit, Ramiz Kelmendi.
Në telegram ngushëllimi thuhet se vepra jetësore e Kelmendit bënë të pazëvendësueshme figurën e tij. Ai dha kontribut të madh në edukimin e gazetarëve të rinj.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, Ramiz Kelmendi. Profesor Kelmendi ishte një atdhetar, shkrimtar dhe gazetar i shquar i Kosovës, por mbi të gjitha ishte mësimdhënës i dalluar”.
“Ai dha kontribut të madh sidomos në përgatitjen e gazetarëve të rinj, duke shënuar kështu edhe një etapë të re të arsimit: fillimin e arsimit të lartë privat”, thuhet në telegram ngushëllimi.
“E gjithë vepra e tij jetësore dhe vlerat e larta njerëzore e bëjnë madhështore dhe të pazëvendësueshme figurën e profesor Ramiz Kelmendit. Ju lutem që në emër të Ministrisë së Arsimit, të Shkencës dhe Teknologjisë dhe në emër timin, t’i pranoni ngushëllimet më të sinqerta”, thuhet në telegram.