Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se Ligji për Investime Strategjike pritet të ndihmojë në sjelljen e investitorëve seriozë, duke i mundësuar Qeverisë të negociojë drejtpërdrejt me ta, pa u penguar nga procedurat e stërgjata të prokurimit.
Në një intervistë për “Ekonomia Online”, Bajrami ka thënë se Ligji, ligjshmëria e të cilit u konfirmua dhe nga Gjykata Kushtetuese, i ka munguar vendit dhe e ka bërë jokonkurrues me vendet e rajonit. “Të tjerët kanë negociuar drejtpërdrejt sa herë që ju ka rastisur të kenë investitorë të mëdhenj, seriozë dhe strategjikë”.
“Neve na ka rastisur, në të kaluarën, që kompani shumë serioze janë tërhequr nga procedurat afatgjate të prokurimit, pikërisht për shkak të mosbesueshmërisë edhe mungesës së transparencës që ata e kanë perceptuar në këto procese. E dini që të gjitha shtetet fqinje, sot kanë bazën ligjore ose pa baza ligjore negociojnë drejtpërdrejt me investitorë”, theksoi ministrja.
Sipas saj, ligji do të mundësojë shkurtimin e procedurave, negocimin e drejtpërdrejtë, pajisjen me leje dhe licencë, dhënien e tokës në këmbim të një investimi etj.
Ligji për Investime Strategjike u miratua në fund të vitit të kaluar nga Kuvendi. Por, zbatimi i tij u shty pasi Lista Serbe bëri ankesë në Gjykatën Kushtetuese.
Qeveria e Kosovës pritet të përgatisë një listë të projekteve strategjike, për të cilat projekte do të negociohet me investitorët e interesuar. Shuma minimale që një projekt të konsiderohet si investim strategjik, sipas ligjit, është nga 10 milionë deri në 30 milionë euro.
Në këtë intervistë, Bajrami flet dhe për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, që sipas saj pritet të nisë më 2017; dhe “luftën” mes shoqatave të qumështarëve. Ajo ka tërhequr vërejtjen se akuzat e ndërsjella mes prodhuesve vendës i dëmtojnë vetë ata, duke rritur perceptimin negativ për prodhimet kosovare të qumështit.
INTERVISTA E PLOTË:
EO: E pamë që Gjykata Kushtetuese e vërtetoi ligjshmërinë e Ligjit për Investime Strategjike. Si e shihni këtë vendim? Tash që është vërtetuar ligjshmëria e ligjit a do të sjellë ky ligj vërtet investime strategjike në Kosovë?
Hykmete Bajrami: Po, ishte lajm i mirë nga Gjykata Kushtetuese, e cila në fund pas të gjitha atyre analizave – ju e pat edhe dokumentin edhe vendimin që është shumë në detaje i analizuar ligji – vendosi që gjithçka është brenda Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ligji është diçka që i ka munguar vendit tonë, pasi nuk kemi arritur që deri më tani të jemi konkurrues me vendet e rajonit, duke marrë gjithmonë parasysh gjithmonë që të tjerët kanë negociuar drejtpërdrejt sa herë që ju ka rastisur të kenë investitorë të mëdhenj, seriozë dhe strategjikë.
Ligji në vetvete nuk është që sjellë diçka, por është një mundësi e cila në rast që e ke një investitor mund ta implementosh dhe të përfitosh benifitet nga ai ligj, siç është shkurtimi i procedurave, negocimi i drejtpërdrejtë, pajisja me leje dhe licencë, komplet ndihma institucionale që do t’iu ofrohet investitorëve strategjikë për pajisje me leje, licenca të ndryshme, dhënia e tokës në këmbim të një investimi ose të aseteve të ndryshme për të cilat investitorët potencialë do të jenë të interesuar.
Po besoj që është pikërisht ambienti i biznesit dhe ambienti politik që e determinojnë se sa investitorë të interesuar do të ketë Kosova. Ne kemi bërë shumë progres në përmirësimin e ambientit të biznesit. Për një periudhë kohore ka qenë situata politike ajo e cila në një farë forme ka larguar dhe ka frikësuar disa investitorë, tani besoj se situata është më stabile edhe besojmë që ka me sjellë të mira.
EO: Ka shumë aktorë që kanë thënë që Ligji për Investime Strategjike është bërë që të anashkalohet Ligji për Prokurim Publik edhe nuk ka qenë mungesa e ligjeve që i ka larguar investitorët prej Kosovës, duke ditur që ka shumë probleme, mosfunksionimi i gjykatave, mungesa e energjisë elektrike. Ta zëmë, TC “Kosova e Re” nuk ka filluar as të ndërtohet; si t’i bindim investitorët që do të ketë stabilitet me energji?
Hykmete Bajrami: E para, qëllimi i Ligjit për Investime Strategjike assesi nuk ka qenë që të anashkalohen procedurat e prokurimit publik. Ju e dini që Ligji për Prokurim Publik, në radhë të parë, definon shpenzimin e parasë publike ose parave të buxhetit. Kur flasim për investime, ne nuk flasim për taksa të buxhetit, flasim për paratë e investitorëve të cilët në këmbim të ndonjë aseti krijojnë vende të punës dhe investojnë në vendin tonë.
Neve na ka rastisur, në të kaluarën, që kompani shumë serioze janë tërhequr nga procedurat afatgjate të prokurimit, pikërisht për shkak të mosbesueshmërisë edhe mungesës së transparencës që ata e kanë perceptuar në këto procese. Gjithashtu e dini që të gjitha shtetet fqinje sot kanë bazën ligjore ose pa baza ligjore negociojnë drejtpërdrejt me investitorë. Ne besojmë që ky ligj do të rrisë transparencën, ndërkohë që si pjesë e legjislacionit nuk është kushti i vetëm për t’iu mundësuar investitorëve që të vijnë në vend.
Ju e përmendet që ne duhet të krijojmë kushte edhe një ambient të favorshëm të biznesit në mënyrë që investitori të vijë. Një investitor i cili vjen për të investuar në Kosovë sigurisht që do të bëjë analiza me vendet e rajonit dhe ai do të vendosë investimin e vet aty ku ndihet i sigurt dhe ku kostoja e prodhimit të tij është më e lirë. Ne kemi bërë shumë përparim në përmirësimin e ambientit të biznesit. Ju e dini që Kosova ka taksa shumë të ulëta; tani jemi vetëm se pothuajse në përfundim të Pakos së Dytë Fiskale, e cila definitivisht e bënë Kosovën vend shumë kompetitiv; legjislacioni këto dy vite të fundit është përafruar shumë me BE-në, është investuar në infrastrukturë, e kemi implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe të gjitha këto ndikojnë që të kemi ambient për të bërë biznes.
Aty ku kemi pasur kompetencë në masë të madhe kemi rregulluar ambientin e biznesit. Janë raporte kredibile të institucioneve ndërkombëtare të cilat në fakt e kanë pranuar këtë progres, edhe asociacionet e biznesit dhe bizneset të cilat i takojmë në çdo dit, të cilat e pranojnë që ka pasur përmirësim të ambientit të biznesit.
Energjia elektrike patjetër që është parakusht për zhvillimin ekonomik. Ne kemi disa çështje të cilat besojmë se do t’i rregullojmë shumë shpejt; është çështja e tarifave verë-dimër, çështja e tarifave ditë-natë, mandej edhe dallimi i çmimit të energjisë elektrike në mes të konsumit familjar dhe industrisë, çështja e maksigrafit, taksat e kyçjes dhe të tjera si këto. Ne kemi pasur edhe takime të veçanta; nuk është që jemi pajtuar dhe kemi ngelur të kënaqur me shpjegimet që ka dhënë Zyra e Rregullatorit të Energjisë. Meqenëse ZRrE-ja i raporton Kuvendit të Kosovës, besoj që Kuvendi duhet të merret seriozisht me këto vërejtje të bizneseve. Është dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik e cila është zotuar në takimin e fundit që e kemi pasur, që do të merret me adresimin e këtyre çështjeve.
Tani, situata me furnizim është më e mirë sesa ka qenë para disa viteve. Normalisht që ka ndërprerje të herëpashershme, duke marrë parasysh kapacitetet e limituara të KEK-ut; shpeshherë ka avari dhe KEDS-i nuk e di se kur duhet të importojë energji elektrike dhe ndodhin ato ndërprerje, të cilat nuk kalojnë pa kosto për bizneset.
Ne kemi filluar procesin e ndërtimit të “Kosovës së Re”. Besoj që ky projekt gjithsesi, sipas informatave që kemi nga ministri Blerand Stavileci, përfundimisht do të fillojë të ndërtohet në vitin 2017 dhe do të kryhet në një të ardhme të afërt, në mënyrë që ne të mos i kemi këto probleme.
Nga ana tjetër, ne kemi një numër të investitorëve, të cilët po investojnë në energji të ripërtërishme dhe të ju them të drejtën kërkesat janë më të larta sesa që ne kemi kapacitete. Kemi biseduar me ministrin Stavileci që të rrisim kuotat për energji të ripërtërishme, meqenëse kemi investitorë të cilët dëshirojnë të kyçen në këtë sektor.
EO: Do të doja të pyesja rreth akuzave të fundit mes shoqatave të qumështarëve për praninë e vajit të palmës në produktet e qumështit. A po bëhet kjo për marketing, apo cilat janë arsyet që ata vazhdimisht ankohen?
Hykmete Bajrami: Nuk i kam të dhënat e verifikuara nga Dogana dhe nuk e di cila është sasia e importeve dhe rezultatet e analizave. Por, analizat që bëhen nga një shoqatë për një shoqatë tjetër duket të jenë tendencioze dhe lënë shumë për të dëshiruar.
Ne e kemi Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës (AUV), e cila bënë analiza rreth cilësisë së produkteve ushqimore.
Nga këtu kisha shfrytëzuar mediumin tuaj që t’iu bëj thirrje shoqatave të qumështarëve që ata asnjëherë me deklarata të tilla, me tentativa të tilla mos ta dëmtojnë prodhimin vendës, sepse në fund ata nuk do të dëmtojnë vetëm konkurrentët e tyre, por gjithsesi do të dëmtojnë edhe veten e tyre.
Qytetarët e Kosovës nuk do të ndalen me e shiku se të kujt janë ato analiza dhe besoj që krejt ky diskutim që ka qenë ditëve të fundit ka me ndikuar në rritjen e perceptimit negativ për produktin vendor, në këtë rast për produktet e qumështit pa marrë parasysh të cilës kompani ato janë.
Unë po besoj që ne si qeveri kemi qenë të hapur mjaft gjatë këtyre dy viteve, për me bisedu me të gjitha asociacionet e biznesit. Të gjitha shoqatat e biznesit duhet që të prezantojnë të gjitha interesat e anëtarësisë së tyre, duhet të jenë më kërkuese kundrejt institucioneve qeveritare, në mënyrë që ne të krijojmë politika të favorshme. Ju e dini që Qeveria e Kosovës ka ndarë një buxhet të konsiderueshëm për sektorin e bujqësisë dhe përpunimit, në këtë rast të produkteve bujqësore. Ne kemi bërë të gjitha përpjekjet që të ngrisim cilësinë, ata kanë dhe ndihmën edhe të donatorëve. Krejt çka na duhet është që të mësojmë rregullat e lojës dhe të dimë se si të sillemi në ekonominë e tregut. Normalisht ne si institucione jemi gjithashtu të shqetësuar edhe për kualitetin e produkteve që konsumatorët shfrytëzojnë, por po besoj që lufta mes vete nuk do të sjell rezultate për asnjë shoqatë dhe për asnjë anëtar të këtyre shoqatave.