Bajrami nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me 4 Universitete të Ajovas

Prishtinë | 06 Pri 2017 | 12:04 | Nga

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, gjatë vizitës që këto ditë po realizon në ShBA ka nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi me katër Universitetet më të mira të Shtetit Ajova. Me këto marrëveshje, palët janë dakorduar kryesisht për aktivitete të përbashkëta arsimore , trajnuese, kërkimore shkencore.

Në fokus të marrëveshjeve është mobiliteti studentëve dhe stafit akademik, këmbimi i përvojave në fushën e licencimit dhe trajnimit të mësimdhënësve dhe këshillime për studentët për faktin se Fakulteti i Edukimit është i ranguar në mesin e më të mirëve në ShBA.

Me marrëveshjen e nënshkruar me Universitetin e Ajovës Veriore , palët janë dakorduar për bashkëpunim ne fusha të ndryshme akademike, kërkimore shkencore dhe projekte të përbashkëta të studentëve të këtij institucioni dhe të Institucioneve të Arsimit të Lartë të Kosovës.

Ndërsa, përmes Marrëveshjes së Bashkëpunimit në mes MAShT dhe Des Moines Area Comunity College (DMACC), i cili është ndër kolegjet më të mira profesionale në ShBA, palët nënshkruese u pajtuan për bashkëpunim në fushën e Arsimit Profesional dhe teknik. Kolegji DMACC i cili ofron arsim profesional të klasit botëror në vendet si Franca, Britania e Madhe, Japonia etj, fillimisht ka ofruar 10 bursa për studentët e interesuar nga Kosova.

Kurse Marrëveshja në mes MAShT dhe Universitetit DRAKE ka të bëjë me programe të përbashkëta mësimore, projekte dhe këshillime si dhe këmbim të studentëve e të stafit akademik.

Ministri Bajrami dhe Rektori i UP-së z .Marjan Dema, në Universitetin e Ajovës Perëndimore gjithashtu u takuan edhe me studentë nga Kosova të cilët po vijojnë studimet master në këtë institucion parmes Programit të Lidershipit të Transformuar, në bazë të të cilit deri me tash është krijuar mundësia e studimeve për rreth 200 studentë nga Kosova.

Gjatë vizitës në ShBA, delegacioni nga Kosova ka vizituar edhe Konsullatën e Republikës së Kosovës në Des Mointes të Ajovës, me ç`rast ministri Bajrami ka zhvilluar një takim me Gjeneral Majorin Timothy Orr nga garda Nacionale e Ajovës , i dëshmuar si një mik i madh i Kosovës dhe e ka falënderuar atë për kontributin e tij në krijimin e partneritetit ndërmjet Gardës nacionale të Ajovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme