Për herë të parë në Kosovë ka filluar pilotimi i projektit të mësimit digjital në bashkëpunim me qendrën e arsimit të Kosovës.
Me këtë rast Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë Arsim bajrami, ka vizituar shkollën “Model” në Prishtinë, për të parë nga afër pilotimin e projektit “School Me” – Më mëso mua.
Minsitri Bajrami, tha se është një risi në sistemin arsimor e cila duhet të standardizoj mësimdhënien në nivel të Kosovës, me standarde të certifikuara të licencuara dhe unike. Ky projekt po pilotohet në 16 shkollat e Republikës së Kosovës dhe në 14 të Shqipërisë.
Ministri Bajrami theksoi se, ofrimi i një platforme digjitale e cila përfshin të gjitha njësitë mësimore në bazë të Kurrikulës së Kosovës është një mundësi shumë e mirë për mësimdhënësit që të zhvillojë një orë cilësore dhe proaktive.
“Kjo, mundëson që mësimdhënësit të përdorin internetin dhe interaksionin në klasë dhe e tëra kjo do të rezultojë me ngritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe me ngritjen e cilësisë në sistemin arsimor”, tha Bajrami.
“Është një projekt i përbashkët i dy ministrive. Po sa të kemi rezultatet e pilotimit do t’i vlerësojmë ato rezultate dhe do ta shtrijmë këtë platformë digjitale në nivel të Kosovës. Është një ndihmë e jashtëzakonshme edhe për prindërit sepse nxënësit kanë qasje në këto ligjërata në këto mësime edhe nga shtëpia do të kenë mundësinë ti përsërisin mësimet në formë elektronike dhe do të mund të bashkëpunojnë edhe me prind në mënyrë që vërtet të promovojnë mësimin logjik. Kosova po promovon që është e gatshme të ofrojë standardet e një mësimi evropian”.
Ministri Bajrami, po ashtu bëri të ditur se platforma digjitale e mësimdhënies është duke u pilotuar në disa shkolla të Republikës së Kosovës dhe se pas vlerësimit, do tyë merret vendimi për ta shtrirë në nivel kombëtarë, në mënyrë që të standardizohet mësimdhënia, me mësimdhënës të përushtuar dhe me nxënës të motivuar
Projekti “School Me” financohet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur dhe ka për qëllim të mbështesë arsimin e nxënësve shqipfolës të shkollave 9-vjeçare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Serbi, Malin e Zi, si dhe të fëmijëve shqiptarë në shtete të tjera.