Bajrami: Fitorja plebishitare e VV-së më shumë erdhi si protestë qytetare ndaj zhgënjimit

Prishtinë | 17 Shk 2021 | 18:04 | Nga Ekonomia Online

Ish-deputeti i PDK-së, Arsim Bajrami, ka thënë se fitorja e Vetëvendosjes më shumë sesa votë për këtë parti ishte shprehje e zhgënjimit të qytetarëve.

“Mendoj se këto zgjedhje kanë dhënë dy mesazhe. Mesazhi i parë është mesazhi i zhgënjimit të popullit. Fitorja plebishitare e Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka ardhur shumë si votë për një parti politike sa ka ardhur si një protestë qytetare e shprehjes së zhgënjimit për mosarritjen e objektivave dhe mosndërtimin e një shteti çfarë e kanë pritur”.

“E dyta për shkak të gabimeve që bëhen dhe që janë bërë. Rrëzimi i Qeverisë Kurti në kohë pandemie ka qenë gabim fatal i të gjitha partive të tjera i cili ka shkaktuar një neveri te qytetarët që asokohe kanë qenë të brengosur me mbijetesën karshi pandemisë. Në kohën kur qytetarët goditen me pandemi botërore ta lësh vendin pa qeveri Kjo ka shkaktuar pezëm i cili është reflektuar. Kjo votë kaq e madhe për një parti politike është një përgjegjësi shumë e madhe”.

Bajrami, në Info Magazine të Klan Kosovës, ka folur edhe për sfidat dhe ngecjet që ai mendon se Kosova i ka si 13 vjet.

“Tani nëse jemi shumë krenarë për 17 shkurtin e vitit 2008 duhet të jemi më krenarë me gjithçka që kemi bërë deri në vitin 2011 deri kur është përfunduar procesi i pavarësisë së mbikëqyrur. Duhet të jemi kritikë te procesi i shtetndërtimit. Shtetndërtimi është dashur të përfundojë ndoshta në vitin 2013 ose 2014. Kemi bërë gabime, ngecja dhe kthim prapa në proces të shtetndërimit me krizat politike, shkeljet kushtetuese, me moskoncentrimin te përmbyllja e procesit të shtetndërtimit, pra kemi 5 ose 6 vjet të humbura. Në një mënyrë kemi zhgënjyer pak edhe donatorët e pavarësisë me ngadalësinë dhe problemet që kemi krijuar brenda”.

“Pavarësia dhe shtetndërtimi janë dy procese të kundërta, derisa pavarësia ëshë një moment historik i shprehjes së vullnetit të popullit shtetndërtimi është aftësia e një shteti për të ndërtuar kapacitete shtetformuese. Ne këtu nuk kemi qenë të mirë, sepse pas vitit 2012 jemi vazhdimisht në kriza politike. Asnjë qeveri s’e ka çuar mandatin deri në fund duke treguar paaftësia institucionale dhe shpesh herë jemi kthyer edhe prapa. Kemi tri sfida kryesore për të qenë krenarë me 17 shkurtin: ndërtimi i një shteti ligjor me një zhvillim ekonomik dhe demokraci parlamentare, përfundimi i dialogut me Serbinë dhe relativizimi i efekteve që do t’i prodhojë Gjykata Speciale. Kjo gjeneratë e lidershipit ka për detyrë dhe ia ka borxh këtij populli që t’i përmbyllë këto procese që Kosova të bëhet një shtet anëtar çfarë e ka menduar martirët që kanë rënë për këtë shtet”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme