Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Konferencës Ndërkombëtare të Studentëve të Universitetit të Prishtinës (UPISC), ku po marrin pjesë studentë nga vende të ndryshme të Evropës dhe më gjerë.
Me këtë rast, ministri Bajrami uroi studentët për organizmin e Konferencës së dytë ndërkomëtare, të cilën e vlerësoi si një ngjarje shumë të rëndësishme për Universitetin e Prishtinës, por edhe për Kosovën, për të promovuar talentin e të rinjve dhe për të bërë ndryshime.
“Padyshim se po jetojmë në një proces të globalizimit, ku roli i të rinjve është kyç për zhvillimin demokratik dhe tranzicionin që po kalojmë. Në këtë tranzicion, të rinjtë e kanë rolin kryesor për të treguar aftësitë e veta të ndërmarrë-sisë, por edhe të lidershipit, në mënyrë që të transformojnë edhe mentalitetin e shoqërive të reja”, tha Ministri.
Ministri Bajrami theksoi se kjo Konferencë, e cila po bëhet tradicionale është një mundësi e mirë e shkëmbimit të përvojave të të rinjve.
“Është një mundësi e veçantë për studentët e Kosovës që të tregojnë se janë të përgatitur dhe të gatshëm për sfidën e përfshirjes në tregun evropian, ku ata do të konkurrojnë me kompetenca, me shkathtësi dhe me vlerat e tyre”, tha ai, ndërsa theksoi se MAShT do të mbështesë gjithmonë aktivitete të tilla të studentëve.
Ne, tha ministri Bajrami, po zhvillojmë një sistem te ri të edukimit, sidomos në arsimin e lartë, i cili tërësisht lidhet me tregun e punës dhe u krijon kompetenca konkurruese të rinjve tanë për tregun e punës.
Konferenca është përkrahur nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, MAShT, MK dhe MPMS dhe do të zgjasë nga 2 deri më 7 maj 2017.