Kushtetuta e Kosovës është hartuar mbi bazën e dy kompromiseve të mëdha, njëra në favor të shqiptarëve, e tjetra në favor të serbëve. Por këta të fundit i keqpërdorën të drejtat e garantuara, andaj kjo kushtetutë duhet përditësuar me një proces transparent, duke respektuar çdo procedurë.
Kështu ka thënë për Ekonomia Online, ministri Arsim Bajrami gjatë një intervistë dhënë për Agjencinë e Lajmeve Ekonomia Online.
Ministri Bajrami që është edhe njëri ndër hartuesit e Kushtetutës së Kosovës ka thënë se kjo kushtetutë është e hartuar në mënyrë specifike në një kontekst ndërkombëtar që e udhëhiqte presidenti Ahtisari, i cili proces më pas rezultoi edhe me kompromiset që janë bërë në kushtetutë.
“Kushtetuta jonë ka dy kompromise të mëdha njëri është në favor të shqiptarëve si shtet formues edhe si popull shumicë duke përcaktuar pavarësinë dhe duke njohur pavarësinë si realitet dhe kompromisi tjetër është duke i dhënë të drejtat pakicave, të drejta të papara përtej atyre që sot i njeh edhe Konventa Evropiane për të Drejta të Njeriut”, ka thënë ai.
Bajrami e pranon se nëntë vjet pas hartimit është treguar që pakicat, e sidomos komuniteti serb i ka keqpërdorë këto të drejta duke bllokuar shtetin e Kosovës.
“Ne duhet të mendojmë që Kushtetuta duhet të përditësohet, por duhet të jemi të vetëdijshëm që ndërrimi i kushtetutës kërkon respektimin e procedurës. Pra, nuk mund të bëhet më një referendum siç po dëgjoj. Referendumi nuk është i lejueshëm për kushtetutën tonë por duhet të bëhet në bashkëpunim me pakicat në mënyrë që të bëhet edhe mbështetja e tyre, sepse po duket një proces shumë i vështirë sidomos me realitetin aktual tek serbët e Kosovës, ku ata janë të përcaktuar rreth një liste të përbashkuar, listë kjo e cila kontrollohet tërësisht nga qeveria e Beogradit”, ka thënë ai.
Bajrami mendon se reformat kushtetuese duhet të përfshijnë dy segmente, atë të zgjedhjes së presidentit dhe aspektin e të drejtave të pakicave.
“Mendoj që reforma kushtetuese duhet të përfshijë dy segmente. E para unë jam plotësisht në mbështetje të idesë së Thaçi, që zgjedhja e presidentit të bëhet në mënyrë të drejtpërdrejtë, është diçka që unë që 20 vjet angazhohem që nga hartimi i kushtetutës në vitin 1990, ku kam qenë po ashtu njëri nga hartuesit e deri më sot. Mendoj që shteti ynë nuk është demokraci funksionale derisa presidenti nuk zgjidhet drejtpërdrejt dhe natyrisht duhet të bëjmë rishikime tjera, por gjithmonë duke respektuar procedurën që parashihet për ndërrimin e kushtetutës”, ka thënë ai.
Në këtë intervistë ministri Bajrami, ka folur për gjendjen e përgjithshme të arsimit në vend, hapat që i kanë ndërmarrë pas rezultatit të PISA-s.
Ai ka folur edhe për idenë e Listës Serbe që Universiteti i Mitrovicës të përfshihet në asociacion, si dhe për gjendjen aktuale politike në vend.
Intervista e plotë me ministrin Bajrami do të publikohet nesër.