Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka marrë pjesë sot në ceremoninë e festimit të 7 vjetorit të Qendrës së Kompetencës në Skenderaj dhe më pas edhe në atë të 90 vjetorit të themelimit të Shkollës së Mesme të Ulët “Xheladin Gashi – Plaku” në Komoran të Drenasit.
Në Qendrën e Kompetencës në Skenderaj, ministri Bajrami e vlerësoi se kjo Qendër është njëra nga shkollat më të mira në Kosovë, me të cilën duhet të krenohet jo vetëm Skenderaj, por e tërë Kosova.
Ministri ftoi të rinjtë që të orientohen kah arsimi profesional, ndërsa përmendi edhe faktin se Kosova sivjet është pranuar në Kornizën Evropiane të Kualifikimeve, e cila mundëson që nxënësit tanë të shkollave profesionale të pranohen në punë me kualifikme në gjithë tregun evropian të punës.
“Kjo na obligon që vërtetë tani ta bëjmë atë ndryshimin kapital në arsim që duhet të orientohemi drejt tregut të punës dhe këtyre shkollave, pa i lënë anash gjimnazet. Ky model i kësaj shkolle, është një model kah ne dëshirojmë ta orientojmë, jo vetëm arsimin profesional, por edhe arsimin e lartë, dhe të themi se nuk është prioritetet gjithmonë vetëm gjithëpërfshirja, por edhe cilësia”, tha Ministri dhe theksoi se neve na duhet një arsim për punësim dhe në këtë drejtim, pikërisht nxënësit e kësaj shkolle janë liderë të së ardhmes.
Me këtë rast, ministri Bajrami vizitoi edhe punimet e nxënësve të kësaj shkolle nga lëmi të ndryshme, të cilat tregojnë për shkathtësitë e tyre të fituara gjatë shkollimit të mesëm.
Ndërsa, në Shkollën e Mesme të Ulët “Xheladin Gashi – Plaku”, ministri Bajrami theksoi rëndësinë e kësaj dite, sepse kjo shkollë ka bërë një rrugëtim prej 90 vitesh, duke arsimuar gjenerata të shumta.
“Sot, po kujtojmë komandantin Xheladin Gashi – Plaku dhe ky është një moment falënderimi ndaj të gjithë mësimdhënësve të kësaj shkolle që kanë edukuar me dhjetëra gjenerata, që i kanë dalë zot kauzës tonë”, tha Ministri, ndërsa theksoi se nga kjo shkollë kanë dalë njerëz që kanë ndërtuar historinë e Kosovës.
Kjo, tha ministri Bajrami, tregon se mësimdhënësit nuk e kanë pasur vetëm qëllimin e edukimit, por edhe misionin e edukimit në frymën e atdhedashurisë në mënyrë që ne sot të ndërtojmë Republikën tonë, shtetin tonë të lirë, të ndërtojmë një sistem të avanciar të edukimit, që është edhe një obligim i yni kombëtar.