Skenderaj mbjell 50 hektarë me pemë

Skenderaj | 13 Pri 2017 | 14:43 | Nga

Në komunën e Skenderajt janë mbjellë 50 hektarë me pemë. Kjo e arritur në fushën e bujqësisë u prezantua në mbledhjen e Bordit të drejtorëve të Komunës së Skenderajt.

Drejtori për Bujqësi në komunën e Skenderajt, Musa Lushtaku, u shpreh i kënaqur me procesin e mbjelljes së fidanëve të pemëve. Ai saktësoi se këtë vit në Skenderaj janë mbjell 50 hektarë me fidanë të mollës dhe kumbullës dhe se gjendja e tyre është shumë e mirë.

Nënkryetari i komunës Fadil Nura në këtë takim ka pranuar raportet periodike dhe ka rekomanduar shtim të aktiviteteve në të gjitha fushat, sidomos në intensifikimin e punimeve në projektet kapitale.

“E kemi obligim dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve të Skenderajt realizimin e objektivave të parapara dhe përkushtimin maksimal në zbatimin e të gjitha obligimeve që rrjedhin si nevoja të qytetarëve”, tha në takim Nura.

Drejtorët e drejtorive komunale kanë raportuar për aktivitetet e kryera dhe për këtë periudhë kohore, si dhe për planet e aktiviteteve për muajin prill.

Bordi i drejtorëve në këtë takim ka diskutuar për këto çështje: përfundimi i procesit të ndarjes së subvencioneve në bujqësi në fushën e mbjelljes së fidanëve të pemëve, nivelin e të hyrave vetanake, fillimin e renovimit të objektit shkollor në Morinë, aktivitetet kulturore dhe sportive të muajit prill, vazhdimin e punimeve në projektet infrastrukturore, kryesisht për rrugët e lagjeve në Runik, në lagjen Mehaj, në dy rrugë në qytetin e Skenderajt, vazhdimin e projekteve të të tjera, inspektimet në fushën e shërbimeve publike, aksionin për eliminimin e deponive ilegale, për procesin e rindërtimit të regjistrave kadastral në katër fshatra të Skenderaj, proces që pritet të fillojë së shpejti, si dhe për punët e përditshme në administratën komunale të Skenderajt.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme