Deputetja e zgjedhur nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se vendimi i seancës konstituive është i vonuar duke thënë se zvarritja ka ardhur në mungesë të numrave, por sidoqoftë nuk mund të thotë që ka numra, njofton Klan Kosova.
Ajo foli edhe për bojkotimin e takimit të sotëm të presidentit nga koalicioni LAA duke thënë se nuk kanë pasur asgjë për të diskutuar pasi që qëndrimet e tyre tashmë i kanë bërë të qarta ndaj koalicionit PAN.
“Ne nuk e kemi parë të arsyeshme të marrim pjesë”, tha Bajrami.
Bajrami shtoi se i kishin thënë PDK-së se nëse e votojnë mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë nuk mund të llogaritin në partneritet të radhës me PDK-në.
Ajo i konsideroi lëvizjet e presidentit Thaçi si angazhim në ndihmë të koalicionit PAN.
Sidoqoftë, Bajrami tha se LDK është parti institucionaliste dhe se nuk mund të thotë që ka një vendim të partisë së saj për të mos e njohur presidentin, porse thotë se respekti i LDK-së ndaj tij varet nga lëvizjet dhe taktikat e vetë presidentit i cili duhet të veprojë në bazë të kushtetutës.
Bajrami tha se e kanë obligim që të marrin pjesë në seancën konstituive, por nuk mund të thotë që qysh tani do ta bojkotojnë krejt seancën.
Tutje, ajo shtoi se koalicioni LAA nuk mban asnjë përgjegjësi nëse vendi shkon në zgjedhje, dhe se përgjegjësinë duhet ta mbajnë sipas saj ata që e prishën një koalicion dhe votuan një qeveri që po funksiononte shumë mirë.
“Qeveria është prishur për shkak se janë arsyetuar që nuk po lëvizin vendimet e mëdha, atëherë LDK nga PDK dhe të tjerët është parë si pengesë”.