Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, vizitoi panairin e grave në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë të organizuar nga OJQ “Dera e Hapur”.
Ministrja bisedoi me shumë përfaqësues të bizneseve për rëndësinë e promovimit të produkteve vendore. Gjatë bisedës ajo foli për një sërë programesh konkrete që ka Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për favorizimin dhe fuqizimin e gruas ndërmarrëse në biznes, duke u mundësuar perspektivë në shoqëri.
Ministrja e ftoi kryesuesen e OJQ-së “Dera e Hapur”, Belgjyzare Muharremi dhe gratë pjesëmarrëse në panair që promovimin e produkteve të tyre ta vazhdojnë në “Panairin e Produkteve Bujqësore dhe Agroindustriale”, që hapet nesër dhe është i organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës, e që është mbështetur nga Qeveria e Kosovës.