Cilësia e ajrit në Kosovë, veçanërisht në kryeqytet, vazhdon të mbetet shqetësim i qytetarëve dhe i ekspertëve që merren me çështje të ambientit.
Profesori në UBT, dr. Nexhat Balaj, njëherësh ekspert i fushës së gjelbërimeve & Hortikulturës urbane, në një intervistë dhënë Radio Campusit, ka thënë se roli i sipërfaqeve të gjelbra urbane ka ndikimin më të madh në cilësinë e mjedisit, posaçërisht në qytetet e mëdha.
Në këtë segment, ai thotë se pemët urbane, pos efekteve sociale, ekonomike, estetike, ndikojnë edhe në pastrimin e ajrit nga ndotësit, të cilët tashmë janë shumë të qartë. Ndaj thekson se përkundër shtimit të sipërfaqeve të gjelbra, nga viti 2000, Kosova është shumë larg standardeve ndërkombëtare.
“Gjelbërimi në Prishtinë është rreth 2 m² për kokë banori dhe aktualisht është norma më e ulët e hapësirave të gjelbra në kryeqytetet evropiane”, ka vijuar ai, duke treguar se sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) kufiri minimal është 9 m² hapësirë e gjelbër për kokë banori.
“Gjermania, Japonia dhe vende të tjera kanë miratuar standarde deri 40 metra katrorë (m²) sipërfaqeve të gjelbra për kokë banori, në qendrat urbane, që tregon se edhe në Kosovë duhet të ndërmerren masa.
Gjelbërimi, sipas tij, krijon ekuilibër midis dyoksidit të karbonit dhe oksigjenit, për një jetë të qëndrueshme të njeriut.
“Investimet në shtimin e sipërfaqeve të gjelbra, përveç karakterit estetik, që zbukurojnë gjithnjë e më shumë qytetet tona, përmirësojnë edhe cilësinë e ajrit në kryeqytet dhe gjetiu”, ka thënë Balaj, sipas të cilit me termin “sipërfaqe të gjelbra urbane” nënkuptohen parqet urbane, lulishtet, drunjtë përgjatë rrugëve dhe shesheve, shkurret dekorative etj.
Shton se bimët ulin ndjeshëm temperaturat dhe rrezatimin termik, pastrojnë ajrin nga dyoksidi i karbonit, gazrat dhe pluhurat e dëmshëm për shëndetin e njeriut dhe e pasurojnë atë me oksigjen; zbusin zhurmat në zonat industriale dhe pranë rrugëve automobilistike, si dhe ulin temperaturat gjatë verës.
Profesor Balaj nxjerr edhe shifra shkencore që vërtetojnë se gjelbërimi është një nga rregullatorët e ajrit.
“Duke iu referuar të dhënave shkencore, një hektar me gjelbërim , me bimë në moshën 7-10 vjeçe, ka aftësi të absorbojë nga ajri urban rreth: 10 tonë CO2 në vit; 8 tonë pluhur; 5.5 tonë ozon O3; 2.1 ton Dyoksid squfuri dhe se çdo m3 e rritjes vegjetative të drurëve në zonat urbane, prodhon 1,2 ton oksigjen.
Kështu, sipas profesorit e ekspertit Balaj, gjelbërimi dhe zbukurimi i mjediseve të jashtme dhe të brendshme, është kërkesë gjithnjë në rritje në Kosovë, paralelisht me zgjerimin qyteteve.