Zëvëndëskryeministrja e Kosovës, Albulena Balaj-Halimaj në seancën e veçantë të Kuvendit të Kosovës me rastin e Ditës ndërkombëtare të përkujtimit dhe nderimit të viktimave të krimeve të gjenocidit ka thënë se nga thellësia e ndërgjegjes shpreh respekt për të gjitha viktimat e krimit të gjenocidit, pa marrë parasysh kohën kur ka ndodhur apo prejardhjen e tyre kombëtare, etnike, fetare apo racore.
Ajo ka thënë se në këtë ditë të veçantë ndërkombëtare të përkujtimit të viktimave që ishin objekt shkatërrimi për shkak të përkatësisë së tyre kombëtare, etnike, fetare ose racore, dhembja jonë është shumë e madhe dhe shumë e freskët në kujtesën tonë kolektive, sepse jemi pjesëtarë të popullit që përjetoi gjenocidin më të tmerrshëm në fund të shekullit të XX.
Balaj-Halimaj ka thënë se një nga prioritetet e Qeverisë së Kosovës lidhet me angazhimet që ky gjenocid të njihet në përmasa ndërkombëtare si i tillë dhe t’u bëhet një trajtim adekuat viktimave që i mbijetuan këtij gjenocidi dhe familjarëve të atyre që janë vrarë apo ende konsiderohen të zhdukur.
“Në kuadër të angazhimeve që lidhen me pasojat e zbatimit të gjenocidit kundër shqiptarëve të Kosovës, në cilësinë e Zëvendëskryeministres në Qeverinë e Kosovës kam zhvilluar një sërë takimesh. Gjatë periudhës dymujore që shkon nga 9 tetori deri më 9 dhjetor të këtij viti, zhvillova një takim me përfaqësuesit e shoqatës “Thirrjet e Nënave” në Gjakovë. Nga ai takim u përsërit për të satën herë dhembja e nënave dhe familjarëve të mbi 1600 civilëve shqiptarë, që edhe pas 21 vjet mbi 1600 shqiptarë vazhdojnë konsiderohen të zhdukur. Pikërisht nga kjo dhembje njerëzore buroi kërkesa që me Serbinë të mos bëhet marrëveshje pas ndriçimin e plotë të fatit të këtyre viktimave të gjenocidit. Pas këtij takimi, më 15 tetor zhvillova një takim me përfaqësueset e “Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas”, me të cilat diskutuam për domosdoshmërinë e mobilizimit të gjithmbarshëm të institucioneve të shtetit për ndriçimin e plotë të dhunës seksuale, si njëra nga format e gjenocidit që ka zbatuar Serbia kundër shqiptarëve në Kosovë”, ka thënë ndër të tjera ajo në këtë seancë.
Më tutje, ajo thotë se vizita e saj në këtë qëndër dëshmon për vendosmërinë e qeverisë së Kosovës që të angazhohet me të gjitha mundësitë që ka në dispozicion për të ndriçuar tërësisht dhunën seksuale si formën më ç’njerëzore që ka pasur për qëllim të shkatërrojë integritetin fizik dhe psikik të femrës shqiptare si të tillë.
“Në këtë takim u theksua në mënyrë të qartë se kur kemi të bëjmë me strategjinë gjenocidare të dhunës seksuale kundër femrave shqiptare, propaganda serbe tenton të heq fajësinë nga vetja duke minimizuar përmasat e kësaj dhune dhe duke e hedhur fajësinë mbi gjoja individë të papërgjegjshëm, që gjoja kanë kryer akte individuale të dhunës “nën ndikimin e alkoolit apo të lëndëve narkotike. Në këtë mënyrë, shteti serb përpiqet të prezantojë si veprime individuale aktet e dhunës seksuale dhe të mohojë vërtetësinë e planifikimit dhe të ekzekutimit të dhunës, me qëllim shkatërrimin e shqiptarëve si komb, si etni, si fe e ndryshme prej tyre”, ka shtuar ajo.
Zv-kryeministrja ka thënë se një gjë duhet ta kemi të qartë të gjithë dhe këtë duhet ta bëjmë të njohur botërisht:
“Në Kosovë gjenocidin e kanë bërë forcat serbe në kuadër të politikës së gjenocidit ndaj shqiptarëve dhe duhet të jemi të kujdesshëm kur përpiqemi të hedhim dritë mbi këtë formë të gjenocidit, sepse rrezikojmë të individualizojmë një krim të planifikuar nga shteti. Dhuna seksuale ka pasoja të rënda për viktimën e drejtpërdrejt të kësaj dhune. Por kur dhuna seksuale hyn në funksion të strategjisë së shkatërrimit të një grupi, siç ishin dhunimet e shqiptarëve në Kosovë, atëherë qëllimi i dhunimeve seksuale nuk është vetëm shkatërrimi i viktimave të drejtpërdrejta, por, nëpërmjet dhunimeve, synohej të cenohej integriteti mendor edhe i të afërmve të viktimave, i tërë grupit, i të gjithë shqiptarëve.”, ka theksuar Balaj-Halimaj.
Sipas saj, asnje person nuk duhet të ndihet i turpëruar për punën që ka përjeutar, sepe kjo dhunë na ka goditur të gjithëve.
Në kuadër të aktiviteteve të kësaj natyre, më 21 tetor zhvillova një takim me kryetaren e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës, dhe me përfaqësueset e “Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas”, dhe të “Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve. Në këtë takim, i ofrova mbështetjen time të plotë Komisionit qeveritar si dhe përfaqësueseve të organizatave joqeveritare që të lehtësohet trajtimi i lëndëve të të mbijetuarve të dhunës seksuale. Në përputhje me atë që u diskutua në takimin, më 27 tetor 2020 zhvillova një takim pune me anëtarët e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës. Në vazhdën e takimeve me të mbijetuar të gjenocidit dhe familjarë të viktimave po përmend vetëm edhe rastin e vizitës në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël, më 18 nëntor”, ka potencuar Balaj-Halimaj.
Në vendlindjen e intelektualit të shquar dhe veprimtarit të madh të çështjes kombëtare, Ukshin Hoti, forcat serbe ekzekutuan 243 civilë shqiptarë të dy gjinive dhe të të gjitha moshave, ndërkaq në Krushë të Vogël 113 fëmijë, gra, pleq dhe burra civilë. Nga ky takim, si dhe takimet e tjera të kësaj natyre, u kërkua që Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës të nxjerrin para drejtësisë të gjithë ata që kanë kryer krime ndaj popullsisë civile shqiptare gjatë luftës në Kosovë! Të gjitha institucionet tona shtetërore dhe organizatat joqeveritare duhet të vazhdojnë punën me këmbëngulje shumë më të madhe derisa përgjegjësit e krimit të gjenocidit në Kosovë të dalin para drejtësisë. Nga kjo foltore po rikujtoj se Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë të veçantë për krimin e gjenocidit që shteti serb ka kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe në këtë rezolutë është përcaktuar që 15 janari të jetë dita e këtij gjenocidi. Prandaj, sot, në ditën ndërkombëtare të gjenocidit, duke qenë shpirtërisht me dhembjen e të gjitha kombeve që kanë përjetuar gjenocid, kërkoj që të mobilizohemi për datën 15 janar që të përkujtojmë gjenocidin që Serbia ka kryer ndaj nesh”, ka deklaruar zv-kryeministrja.
Poashtu, Balaj-Halimaj ka thënë se me propozim të ministrit të Drejtësisë është themeluar Grupi Punues i cili do të përgatisë një koncept document lidhur me themelimin e Institutit për Hulumtimin e krimeve të luftës.,
Poashtu ajo ka bërë me dije se ministri i Punës ka proceduar në Qeveri plotësim ndryshimin e ligjit për skemant pensionale të financuara nga shteti.