Përderisa përballet me telashe financiare sherri i procedurave për bartjen e buxhetit – pas dy udhëtimesh në Bullgari pa përkrahje të shtetit me mëditje të siguruara prej borxheve – Baleti Kombëtar i Kosovës ka marrë pesë balerinë të rinj. Ilir Krasniqi, Mërgime Morina, Donmir Bilalli, Besarta Shaljani e Elmedina Berisha, zyrtarisht janë bërë pjesë e këtij institucioni.
Kanë zënë vendet e pesë balerinëve tashmë në pension. Për pranimin e tyre ka njoftuar të martën edhe Ministria e Kulturës, shkruan sot “Koha Ditore”.
Kjo e çon në 22 numrin e balerinëve që janë pjesë e rregullt e trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës, institucion ky që disa herë ka alarmuar se rrezikon të shuhet në mungesë të një shkolle baleti.
Veç premtime ka marrë deri më tani menaxhmenti i BKK-së, nga ata që kanë udhëhequr me Ministrinë e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë. Ka tre vjet që po bëhen thirrje, shkresa e takime me kërkesën për hapjen e një shkolle të baletit, por një e tillë as nuk ishte paraparë me planin e vitit 2018.
Ahmet Brahimaj, drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës, ka thënë se pesë balerinët e rinj i janë shtuar këtij institucioni, pasi që në shkurt të këtij viti, po aq pjesëtarë të BKK-së kanë dalë në pension. Të pestit – Rrustem Metaj, Rrustem Bajrami, Shqipe Hoxha, Esma Mulla e Elez Nikqi – tash e disa vite nuk kishin qenë aktivë në skenë.