Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) mbylli sonte në Suharekë fushatën elektorale për zgjedhjet e 22 tetorit.
Kandidati i AAK-së për kryetar komune, Bali Muharremaj, në tubimin ku merrte pjesë dhe kryeministri Ramush Haradinaj, ka premtuar qindra vende të reje pune gjatë mandatit të tij.
“Me funksionalizimin e zonave ekonomike do të jemi të gatshëm të hapim 500 vende te reja të punës”, ka thënë Muharremaj.
Ndërsa, punësim, sipas tij, do të ketë edhe në fushat e tjera; 400 në shëndetësi, 310 në bujqësi, 100 në administratë, 100 në arsim etj.
Nëse e merr besimin këtë të diel, Muharremaj iu premtoi qytetarëve të Suharekës mirëqenie më të mirë, arsim më cilësor, infrastrukturë e kujdes për mjedisin.
“Takimi dhe bashkëbisedimi me qytetarët e komunës na ka ndihmuar të përcaktojmë prioritetet. Jam i bindur se Suhareka do të jetë me mjedis më të pastër, rrugë e trotuare, shërbime adekuate; nxënësit do të vijnë me kënaqësi në shkollë do të kujdesemi që shkolla të jetë vend i sigurt për ta; në sistemin shëndetësor nuk do mungojnë vizitat nëpër shtëpi, në trajtim do të përfshihen pleqtë dhe rastet sociale”.
“Synojmë 400 vende të reja pune në shëndetësi, administratë e shpejtë efikase për qytetarët pa dallime politike. Zotohem të arrijë 310 vende të reja pune në bujqësi. Për herë të parë bujqit nuk do vijnë në Komunë, po Komuna do të shkojë t’iu ndihmojë”, deklaroi kandidati i AAK-së.
“Me funksionalizimin e zonave ekonomike do të jemi të gatshëm të hapim 500 vende te reja të punës. Në këtë mandat do të kemi zonë industriale afër Duhlës”, ishte zotimi i tij i radhës.
Ai premtoi përkrahje me bursa për studentët. “Gjithashtu, asnjë mjek, asnjë psikolog, asnjë që e ka kryer Fakultetin e Edukimit nuk do të mbetet pa punë. Zotohem se do të hapim 100 vende të reja pune në administratë dhe 100 në arsim”.
Kryeministri i Kosovës dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se Bali Muharremaj është njeri kompetent dhe i përgjegjshëm, për ta qeverisur Komunën e Suharekës në katër vitet e ardhshme.
Por, Haradinaj pati dhe një paralajmërim për bashkëpartiakët e tij. “Nuk kam çare pa ju marr disave në Prishtinë, veç po pres edhe nja një javë derisa të kryhen zgjedhjet. Po ka shumë punë atje e po na vyeni”, u shpreh shefi i Qeverisë.