Drejtori i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija ka thënë se zhvillimi i sektorit privat, ku bënë pjesë edhe sektori bankar, është me rëndësi të veçantë për një progres ekonomik në Kosovë.
Sipas tij, nënshkrimi Elektronik, Gjykata Komerciale, dhe e Drejta Pronësore të jenë prioritet i Qeverisë dhe Parlamentit të ardhshëm për zhvillimin e sektorit privat.
“Kosova duhet të jetë konkurruese me tregjet e tjera për të ruajtur resurset njerëzore dhe për të mobilizuar kapitalin vendor dhe atë të huaj. Për të arritur këtë, Kosova duhet të plotësojë disa kushte, respektivisht modernizimin e shërbimeve përmes dixhitalizimit ku rëndësi të veçantë ka Ligji për Nënshkrimin Elektronik i njohur zyrtarisht si Ligji për Identifikim Elektronik dhe Shërbimet e Besuara në Transaksionet Elektronike; zbatimi i kontratave komerciale duke miratuar dhe implementuar Ligjin për Gjykatën Komerciale dhe njohja e pronësisë nga nivelet komunale, respektivisht pajisja e pronarëve të banesave kolektive dhe apartamenteve me tituj pronësor”.
“Kosova ka një popullatë në moshë të re me mesatare rreth 29 vjeç dhe qasje të lartë në internet rreth 93%, që do të thotë se mënyra e preferuar e marrjes së shërbimeve është në formë dixhitale. Megjithëse sektori bankar në Kosovë si dhe bizneset tjera kanë investuar mjaft shumë në dixhitalizimin e shërbimeve, cikli i kryerjes së shërbimeve dhe transaksioneve online është i mangët pa një Nënshkrim Elektronik funksional në Kosovë. Megjithëse Kosova ka një ligj të tillë në fuqi edhe sot, mirëpo, asnjëherë nuk është funksionalizuar dhe implementuar për shkak të mungesës së legjislacionit sekondar që nuk është përgatitur nga institucionet shtetërore deri më tani”.
“Prioritet i qeverisë dhe parlamentit në mandatin e ardhshëm duhet të jetë edhe Gjykata Komerciale e cila do të adresonte një nga mungesat thelbësore për zgjidhjen e kontesteve gjyqësore afariste. Sistemi aktual gjyqësor ka dëshmuar se nuk ka kapacitetet për të trajtuar kërkesat e sektorit privat për zgjidhjen e shpejtë të lëndëve komerciale andaj është shumë e nevojshme që këto raste të cilat kanë ngelur në sirtarët e gjykatave të trajtohen me prioritet nga një Gjykatë Komerciale. Vetëm nga sektorit bankar ekzistojnë mijëra lëndë të pa trajtuara në vlerë rreth 150 milion euro. Kjo Gjykatë do të rriste besimin edhe për investitorët e huaj të cilët vazhdimisht kanë potencuar problemin e sistemit gjyqësorë si dekurajuese për investimet e tyre”.