Përhapja e pandemisë ka krijuar vështirësi edhe në sektorin bankar kështu ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online, kryetari i Shoqatës së Bankave të Kosovës Petrit Balija.
Tutje, ai tha se mbyllja ka ndikuar negativisht në të gjitha bizneset përfshirë edhe bankat duke shtyrë këstet e kredive.
Megjithatë, Balija theksoi se duke parë menaxhimin e mirë të sektorit bankar ndër vite ka arritur një stabilitet të rëndësishëm për ekonominë e vendit.
“Sigurisht që pandemia ka krijuar vështirësi edhe për sektorin bankar. Ne e dimë që mbyllja ekonomike ndikon në të gjitha bizneset përfshirë këtu edhe bankat mirëpo përveç që ka ndikuar negativisht bankat kanë pasur edhe një përgjegjësi të madhe në ndihmesën për likuiditetin e ekonomive familjare ku me vendim të përbashkët me Bankën Qendrore të Kosovës ne kemi bërë shtyrjen e kësteve të kredive gjatë pandemisë që dhe ka pasur disa faza nëpër të cilat janë shtyrë kredit dhe kjo ka qenë një ndihmesë konkrete që i kemi ofruar fleksibilitet të pagesave qytetarëve gjatë pandemisë dhe kjo ka krijuar vështirësi për sektorin bankar sepse duke shtyrë këstet e kredive rrjedhimisht bankat kanë shtyrë edhe pranimin e pagesave dhe zakonisht përcillet me probleme ose rreziqe të likuiditetit për sektorin bankar”.
“Megjithatë duke parë menaxhimin e mirë të sektorit bankar ndër vite dhe stabilitetin që gëzon ky sektor bankar ne kemi arritur që të përballojmë edhe këto shtyrje dhe krahas ndihmesës për të shtyrë kredit ne të kemi edhe një stabilitet bankar që është i rëndësishëm për ekonominë e vendit”, tha Balija.
Sipas tij, në disa sektor ka pasur edhe rënie të normave të interesit sidomos në sektorin e financimit e të banimit.
Ai tha se bankat po vazhdojnë të jenë sa më kreative në ofertën e tyre në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të zgjedhin nga një llojllojshmëri të produkteve.
“Gjatë kësaj faze ka qenë një stabilitet i çmimeve në kredi dhe në disa sektor ka pasur edhe rënie të normave të interesit sidomos në sektorin e financimit të banimit ku normat e interesit janë më shumë atraktive për blerje të një apartamenti apo një prone dhe kjo është falë konkurrencës që bëhet në mes të bankave për të fituar klientë mirëpo edhe për shkak të gjendjes aktuale ku fuqia e blerjes bie rrjedhimisht edhe çmimet, kostot”.
“Bankat po vazhdojnë të jenë sa më kreative në ofertën e tyre në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të zgjedhin nga një llojllojshmëri të produkteve, por të kenë edhe zgjedhje në aspektin e çmimeve. Bankat po arrijnë që të kenë dallime të mëdha në çmime në mes të tyre në mënyrë që klienti të zgjedh se cilën bankë do ta ketë dhe cilin produkt do ta shfrytëzojë”, shtoi ai.
Balija shtoi se gjatë pandemisë kursimet e qytetarëve kanë shënuar një rritje të dukshme, duke kursyer më shumë mjete.
“Gjatë pandemisë kursimet e qytetarëve kanë shënuar një rritje të dukshme sigurisht edhe për shkak të mbylljes ekonomike qytetarët kanë shpenzuar më pak dhe kanë ndarë mjete për kursime mirëpo edhe tërheqja nga fondet e trustit ka bërë që të shënohet një rritje pak më e theksuar në depozitat e sektorit bankar. Kemi një rritje të mirë në depozita gjatë vitit 2020, por edhe këtë vit është duke vazhduar rritja dyshifrore e depozitave në sektorin bankar”.