Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Mehmet Ballazhi, e ka quajtur të drejtë vendimin e Gjykatës Supreme që e ka konfirmuar fitoren e tij në Han të Elezit, duke e quajtur shkel e shko ankesën e kandidatit të pavarur, Rufki Suma.
“Sot Gjykata Supreme e ka marrë vendimin ashtu siç ne kemi menduar se po presim një mendim të tillë dhe e ka rrëzuar vendimin e PZAP-së për anulimin e zgjehjdeve të Han të Elezit”, ka thënë Ballazhi për Info Magazine të Klan Kosovës.
“Ne kemi pasur fakte të mjaftueshme që nuk ka asnjë arsye për anulim të zgjedhjeve në Han të Elezit, sepse ishin zgjedhje të lira dhe të gjitha kanë kaluar pa asnjë problem kështu që në njëfarë forme e kemi pritur sepse kemi besuar në drejtësinë dhe në institucionet e drejtësisë së Kosovës.
Ballazhi tha se ata ishin bazuar në raportet e KKZ-së dhe të Unionit Evropian si dhe nga deklaratat e komisionerëve të cilët kishin pohuar se gjithçka ka shkuar në rregull.
“Ne tanimë jemi mësuar me akuzat e zotëri Sumës që i ka të pabaza. Ne kemi ofruar faktet tona dhe përkundër asaj aneksës që zotëri Suma e ka ushtruar përmes nipit të tij i cili është si shef i prokurimit, ne i kemi ofruar të gjitha faktet dhe të gjitha deklaratat e komisionerëve të cilët kanë qenë në vendvotime e që kanë deklaruar që procesi ka qenë i rregullt”.
“Jemi bazuar në të gjitha raportet e KKZ-së, të Unionit Evropian të cilët sinqerisht kanë thënë që në Han të Elezit kanë qenë ndër zgjedhjet më të mira që kanë ndodhur deri më tani”.
“Edhe vetë ankesa ka qenë joserioze. Edhe data e ankesës gabohet, në vend të tetorit shkruhet në gusht, kështu që e kemi parë që është joserioz ,e kemi parë që e ka bërë shkel e shko kështu që gjykata Supreme ka marrë një vendim të drejtë”.