Komisioni i ri Evropian nën udhëheqjen e politikanes gjermane, Ursula von der Leyen do të vazhdojë të shikojë situatën në Ballkanin Perëndimor, por zgjerimi i Bashkimit Evropian me vende si Serbia nuk do të jetë prioritet për Brukselin, thonë ekspertët për Integrimin Evropian.
Ende mbetet të pritet dhe shihet se kush do ta marrë timonin e politikës së zgjerimit dhe fqinjësisë, apo nëse Johannes Hahn do të mbajë këtë dikaster si dhe deri në ç’masë do të merret me Ballkanin shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrelli.
Erkki Bahovski, një ish-zyrtar i Komisionit Evropian njëherësh gazetar nga Estonia, thotë për gazetën serbe ” Danas” se në këtë moment është e vështirë të parashikohet se çfarë do të jetë politika e zyrtarëve të rinj të BE-së ndaj rajonit por të krijohet përshtypja se duhet të jetë “optimiste me kujdes” posaçërisht kur flitet për zgjerimin, transmeton Klan Kosova.
Bahovski thekson se është çështje tjetër se kush do të merret kryesisht me Ballkanin Perëndimor.
Ai beson se ekziston mundësia që një detyrë e tillë do t’i takojë Borellit, ish- kreut të diplomacisë spanjolle.
“Siç e dimë, Spanja refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës dhe është e mundur që një qëndrim i tillë të reflektojë gjithashtu mbi politikën e jashtme të BE-së. Megjithatë, Ballkani Perëndimor është, mbi të gjitha, kompetencë e Komisionerit të Zgjerimit, dhe nëse ai merr një mandat të qartë, situata do të jetë më mirë. Megjithatë, ende nuk e dimë se kush do të jetë. Pra, para së gjithash, është e nevojshme të sqarohen disa gjëra, në mënyrë që të shohim skemat e politikës së KE-sësë. Dhe, në fund, shumë do të varen nga vetë Ballkani Perëndimor”, ka shtuar ai, transmeton Klan Kosova.
Franc-Lotar Altman, një politikolog gjerman dhe profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Bukureshtit, i tha Danasit se presidentja e re e KE-së nuk ka shumë përvojë personale me Ballkan dhe se është e nevojshme të informohet më hollësisht për rajonin, siç është ish-komisari për politikën fqinjësore dhe zgjerim, Johannes Hahn, i cili ndoshta mund ta mbajë këtë departament, transmeton Klan Kosova.