Ish-kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Arbër Vllahiu, ka nisur bisedat për koalicione të mundshme me dy kandidatët që kanë kaluar në balotazh, Shpend Ahmetin e Lëvizjes Vetëvendosje, dhe Arban Abrashin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Vllahiu, që është autorizuar nga AAK’ja të negociojë marrëveshjen për balotazhin, ka zhvilluar takime të veçanta me Ahmetin dhe me Abrashin, por nuk ka dhënë ende ndonjë hollësi të bisedave, dhe as nuk është deklaruar nëse është arritur një marrëveshje me ndonjërin prej tyre.
Nuk dihet ende se cilin prej kandidatëve do ta mbështesë AAK’ja në rrethin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Prishtinës, që zhvillohet më 19 nëntor.
Vllahiu ka thënë se AAK është e hapur për koalicionet e mundshme në Prishtinë, dhe se nuk e ka përjashtuar asnjërin nga kandidatët nga partitë që aktualisht kanë kaluar në rrethin e dytë.
“Kam pasur kontakte nismëtare me të gjithë, por nuk ka ende asnjë marrëveshje. Aktualisht po analizohen ofertat e tyre, por edhe kushtet e përfaqësimit të mundshëm të AAK’së në qeverisjen e ardhshme në Prishtinë”, ka thënë Vllahiu për Gazetën Express.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet e fundit lokale ka marrë 10 për qind të votave, duke siguruar aktualisht 5 vende në Kuvendin Komunale, por deri në mbylljen zyrtare të rezultateve nga KQZ shpreson të ketë 6 vende. Kandidati i saj për kryetar, Vllahiu, ka siguruar 2800 vota në zgjedhjet e 22 tetorit.
Në balotazhin për kryetar të Prishtinës garojnë kryetari aktual, Shpend Ahmeti, nga VV, dhe Arban Abrashi, nga LDK, të cilët kanë siguruar numrin më të madh të votave nga tetë kandidatë sa kanë garuar këtë vit për të parin e Prishtinës.