Një 52-vjeçar, i cili për 25 vjet i përkiste rrethit të ngushtë të krimit të organizuar në Goteborg të Suedisë, është dënuar me shtatë vjet e gjashtë muaj burgim, ndërsa do t’i konfiskohen prona, vetura, para të gatshme, ora dhe ari me vlerë miliona korona. Gjykata ka vendosur gjithashtu dëbimin e tij të përhershëm nga Suedia.
Sipas gazetës suedeze Göteborgs-Posten, burri ishte arrestuar në vitin 2001, pas një incidenti me të shtëna me armë zjarri në një ngjarje të lidhur me grupin kriminal Original Gangsters, në zonën e plazhit Näset, në Goteborg. Në atë kohë, ai ishte pjesë e të ashtuquajturës “Naserligan” [Banda e Naserit], trasnmeton Express.
Vitet e fundit, 52-vjeçari ishte prezantuar si sipërmarrës, por policia vazhdonte ta monitoronte si një “individ kriminal strategjik”.
Sipas vendimit të gjykatës, prova vendimtare kundër tij ishin materialet e përgjimeve nga shërbime të enkriptuara të komunikimit, si EncroChat.Gjykata vlerësoi se ai kishte marrë pjesë në trajtimin dhe përpunimin e 12 kilogramëve kokainë dhe të paktën 300 kilogramëve kanabis.
Gjykata e Apelit e dënoi me shtatë vjet e gjashtë muaj burgim për një vepër veçanërisht të rëndë të narkotikëve dhe një vepër të rëndë të pastrimit të parave.Përveç dënimit me burgim, gjykata ka urdhëruar konfiskimin e pasurive të tij në Suedi dhe Kosovë.
Në mesin e pasurive që do t’i konfiskohen janë dy prona të paluajtshme, një veturë luksoze Audi, para të gatshme, ora dhe ari. Gjithashtu, gjykata ka urdhëruar sekuestrimin e pasurive në vlerë ekuivalente me 6.1 milionë korona suedeze.
“Gjëja e rëndësishme ishin konfiskimet dhe vendimi për dëbim”, ka deklaruar prokurorja Hediye Kurt për gazetën Göteborgs-Posten.52-vjeçari i mohon akuzat dhe planifikon ta apelojë vendimin në Gjykatën e Lartë të Suedisë.Pavarësisht se ka dy fëmijë të mitur, ndaj tij është marrë vendim për dëbim të përhershëm nga Suedia.