Bandat po e shfrytëzojnë pandeminë për të joshur të rinj

Prishtinë | 16 Gus 2020 | 12:25 | Nga Ekonomia Online

Gjërat që i kishte parë e dëgjuar javëve të fundit mbi pandeminë kanë qenë të çuditshme edhe për Hector Fabio Idrobon, ombudsperson veteran në qytetin kolumbian Toribio. Idrobo i përshkroi burrat me skafandra dhe në uniforma që iu afruan djelmoshave dhe vajzave në qytet – me një popullatë prej 30.000 banorësh – duke u dhënë dhurata dhe ftesa.

“Ata rëndom u afrohen më të rinjve, duke u dhënë CD apo video ose duke zhvilluar biseda me ta”, raporton Idrobo përmes telefonit. “Nëse janë me gueriljet, flasin për armët dhe jetën e tyre emocionuese në male”. Nëse janë me kartele, ata i joshin të rinjtë me para, thotë ai.

“Në këtë mënyrë futen në kokat e djelmoshave dhe vajzave që rëndom janë nga familjet e varfra dhe ato jofunksionale”.

Në hapin e radhës, ata i thërrasin fëmijët në kampe, duke u ofruar armë dhe duke biseduar me ta.

“Para se këta fëmijë të arrijnë ta kuptojnë, i kanë uniformat e veshura”.

Idrobo pretendon se grupet e armatosura përherë janë në kërkim të rekrutëve të rinj në Toribio. Por, 37-vjeçari, i cili ishte ombudsperson i qytetit nga viti 2013 deri 2016 dhe që iu rikthye këtij posti pak muaj më parë, pretendon se kurrë nuk kishin rekrutuar kaq agresivisht sa kur Kolumbia zbatoi izolimin për ta shmangur përhapjen e mëtutjeshme të COVID-19.

Ombudspersonat janë nëpunës qeveritarë përgjegjës për t’i dëgjuar shqetësimet e qytetarëve dhe më pas të shërbejnë si avokatët e tyre në qeveri. Sipas Kushtetutës kolumbiane, ata janë po ashtu përgjegjës për të monitoruar nëse po respektohen të drejtat e njeriut dhe të shërbejnë si mbrojtës ndaj veprimit të qeverisë. Kjo gjë e bën Idrobon si një lloj kutie ankesash për banorët. Njerëzit po i tregojnë atij në besim se fëmijët e tyre thjeshtë shkojnë “në male”, se po rrëmbehen, nganjëherë ngase grupet guerile synojnë “kuota”, si të birin e një familjeje me shumë fëmijë..

Të ngjashme