Banka Botërore jep 22 milionë € për sigurimin e ujit

Prishtinë | 27 Jan 2017 | 09:47 | Nga

Ministri i Financave, Avdullah Hoti dhe drejtori i Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli, nënshkruan sot marrëveshjen për hua me Bankën Botërore për financimin e projektit “Sigurimi i ujit dhe mbrojtja e kanalit”.

Ky projekt ka për qëllim kthimin e kanalit kryesor të ujit në Kosovë – Kanalin e Ibrit – në kapacitetin origjinal, që do të sigurojë që furnizimi më i besueshëm me ujë dhe cilësia më e mirë e ujit të sjellë përfitime për rreth 500 000 njerëz që jetojnë në pellgun e kanalit në Kosovën Qendrore dhe të bëhet faktor mbështetës për zhvillimin ekonomik dhe social.

Ministri Hoti duke e vlerësuar lartë bashkëpunimin e vazhdueshëm me Bankën Botërore (BB) theksoi se edhe kjo marrëveshje si shumë bashkëpunime të tjera me BB-në shërbejnë për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës.

Sipas ministrit Hoti vlera e përgjithshme e kësaj Marrëveshje është 22 milionë euro me një normë efektive të interesit 1.40%, grejs periudhë 5 vite dhe 20 vite kthim efektiv të kredisë. Projekti në fjalë ndahet në dy pjesë, përkatësisht, në përmirësimin e kanalit kryesor të ujit dhe ndërtimin e një rezervari.

“Për përmirësimin e kanalit do të nën-huazohen tek Ibër Lepenci 15 milionë euro kurse pjesa e mbetur e kredisë në vlerë 7 milionë euro do të mbetet me Qeverinë e Kosovës për financimin e ndërtimit të rezervuarit. Përveç përmirësimeve infrastrukturore të kanalit që do të ndodhin duke filluar nga Ujmani deri në Obiliq, do të adaptohet/aplikohet edhe një sistem i avancuar elektronik i cili do t’i mundësojë Ibër Lepencit të mbikëqyr kanalin, të mbledh dhe analizoj të dhënat nga tereni në kohë reale”, shtoi Ministri Hoti.

Ai gjithashtu bëri të ditur se “Pjesa e dytë e projektit ka të bëjë me ndërtimin e një rezervuari të ujit në Mihaliq dhe lidhjen e tij me kanalin e ujit. Ky rezervuar do të shërbej për situata emergjente të cilat mund të ndodhin në të ardhmen”.

Ndërsa, drejtori i Bankës Botërore për Kosovë Marco Mantovanelli tha se “Uji është në qendër të zhvillimit ekonomik dhe social, ai është vital për ruajtjen e shëndetit, kultivimin e ushqimit, prodhimin e energjisë, menaxhimin e ambientit përfshirë edhe ndikimet e vërshimeve ose thatësirave, dhe për krijimin e vendeve të punës”.

“Aktualisht, Kosova qendrore, rajoni me popullsinë më të dendur në vend i cili paraqet potencialin më të madh zhvillimor të Kosovës për shkak të përqendrimit të aktiviteteve minerare, bujqësore dhe industriale, është duke u sfiduar nga resurset e kufizuara ujore. Banka Botërore ka kënaqësinë të mbështesë Kosovën që ajo të bëj furnizimin e ujit më të pastër dhe më të qëndrueshëm”, shtoi drejtori Mantovanelli.

Projekti do të financohet tërësisht përmes kredisë në vlerë prej 22 milionë eurosh (24.5 milionë USD ekuivalentë) nga Asociacioni për Zhvillim Ndërkombëtar (IDA) i Grupit të Bankës Botërore, që është fond për vendet me nevojat më të mëdha zhvillimore. Kreditë e IDA-s jepen me kushte të favorshme me interes zero ose shumë të ulët dhe periudha të gjata të kthimit. Kredia për Projektin e Sigurisë së Ujit dhe Mbrojtjen e Kanalit në Kosovë ka një maturitet prej 25 vitesh, përfshirë edhe një periudhë grace prej 5 vitesh. Projekti do të zbatohet për gjashtë vite nga Ndërmarrja Hidroekonomike “Ibër-Lepenc”, SH.A., dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik e Republikës së Kosovës.

Kanali i Ibrit është sistem i bartjes së ujit me shumë qëllime i cili furnizon ujin që përdoret për prodhim të energjisë, mihje, industri, bujqësi dhe amvisëri. Kosova Qendrore, përfshirë edhe kryeqytetin Prishtinën, varet pothuaj tërësisht nga ky kanal për plotësimin e nevojave të saj për ujë. I ndërtuar në vitet 1970-ta, infrastruktura e kanalit është përkeqësuar me kalimin e viteve. Dëmtimet fizike dhe ndotja, si rezultat i rrëshqitjeve të dheut/ baltës, dheu jostabil, rrjedhjet nga fermat përreth dhe rrugët, mbeturinat dhe mbetjet e tjera të ngurta, kanë ndikuar në kapacitetin bartës të kanalit, si dhe në cilësinë e ujit.

avdullah hoti avdullah hoti2 avdullah hoti4

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme