Gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti 10 banka komerciale, sa operojnë në Kosovë, kanë arritur ta krijojnë një profit neto prej hiç më pak se 45.6 milionë eurosh. Në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak bankat kanë rritur profitin neto për 7.9 milionë euro, shkruan sot Gazeta “Zëri”
Bankat komerciale në Kosovë gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti kanë arritur ta krijojnë një profit të pastër prej hiç më pak se 45,6 milionë eurosh e ku në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak bankat kanë rritur profitin neto për 7.9 milionë euro.
Në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) thuhet se gjatë 6-mujorit të parë të hyrat e bankave në Kosovë kanë qenë 119.7 milionë euro e derisa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak ato kanë qenë 113,7 milionë euro.
Sivjet sipas raportit të BQK-së shihet se të hyrat nga interesi kanë arritur në 86.8 milionë euro, derisa shpenzimet kanë arritur në 74.1 milionë euro, ku nga kjo shumë 8.4 milionë euro janë shpenzime të interesit derisa 50.6 milionë euro janë shpenzime administrative.
Gjatë kësaj periudhe kohore sipas të dhënave të BQK-së shihet se vlera e kredive është rritur për 10% duke arritur në 2.3 miliardë euro, derisa vlera e depozitave është rritur për 7.2 për qind duke arritur në 2.8 miliardë euro.
Gjatë kësaj periudhe kohore, gjithnjë duke iu referuar të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, shihet se norma mesatare e interesit në kredi ka rënë në 6.8 për qind e ku për ekonomi familjare norma mesatare është 7.1 për qind, derisa për ndërmarrje 6.6 për qind.
Po ashtu edhe norma e interesit në depozita ka rënë në nivelin më të ulët të mundshëm në 1.1 për qind e ku për ekonomi familjare ajo është 0.9 për qind, derisa për ndërmarrje është 1.7 për qind.
Sipas të dhënave të BQK-së, 88.3 për qind e pronësisë së sektorit bankar është e huaj, derisa pjesa tjetër prej 11.7 për qind u përket biznesmenëve vendorë.