Mesa duket “monedha e popullit” ka filluar të thumbojë veshët e atyre që tradicionalisht kanë pasur monopolin e parasë, bankave dhe qeverive.
Deklaratat e fundit negative nga bankat e mëdha shoqëruar nga sulmet e qeverive të vendeve ndaj monedhave virtuale dhe ICO-ve, mund të shikohen në një farë mënyrë si përgjigja e këtyre institucioneve ndaj popullaritetit në rritje të Bitcoin.
Bitcoin gjithnjë ka pasur potencialin për të qenë monedha e re jashtë influencës së bankave dhe shteteve, por ndërsa adoptimi i saj është rritur, kërcënimi për të parët është më i prekshëm se kurrë më parë.
Kufizimi i potencialit të Bitcoin
Gjëja e cila më pak duhet të na çudisë është fakti se bankat, siç është rasti i JP Morgan, kanë nisur një retorikë virale e cila paraqet bitcoin si një mashtrim suksesi i së cilës do sjell fundin për bankat e mëdha dhe institucionet financiare.
E njëjta vlen edhe për shtetet. Një monedhë e decentralizuar u heq një pushtet të madh nga duart ndërsa qeveritë kërkojnë të mbajnë nën kontroll monedhën. Taksat dhe rregullimi i parasë janë një mjet me të cilin ushtrojnë pushtetin qeveritë.
Fuqizimi i Bitcoin ka bërë analistët të mendojnë se tregtisë tradicionale i ka ardhur fundi.
Frika e tradicionalistëve
Me një monedhë virtuale popullore, shtetet do të humbasin një sasi të konsiderueshme të ardhurash, përfshirë edhe fitimet e gjeneruara nga shtypja e parasë si dhe fuqinë për të kontrolluar ekonominë.
Për sektorin bankar, të humbasësh pushtetin për të kontrolluar qarkullimin e parasë mes bankave qendrore dhe ekonomisë, do të thotë “crash” i modelit të biznesit dhe vetë ekzistencës së sistemit monetar.
Frikë e pajustifikueshme?
Kjo frikë mund të jetë e ekzagjeruar edhe pse Bitcoin ka filluar të fluturojë në qiejt e sistemit monetar tradicional. Duke qenë një sistem i decentralizuar, ajo ka potencialin për të qenë pjesë plotësuese e sistemit më shumë sesa kërcënuese.
Një profesor i ekonomisë pranë LIU Post shprehej:
“Monedha virtuale, siç është rasti i Bitcoin, ndihmon dhe lehtëson procesin e huadhënies. Kujtoni çfarë ndodhi gjatë krizës financiare të periudhës 2007-2008. Kreditë ranë ndërsa bankat ndaluan huadhënien duke ngrirë tregjet.
Me një monedhë virtuale si Bitcoin, huadhënia është e decentralizuar, dhe si rezultat ajo mund të vijojë, duke lejuar paranë të shkojë aty ku është nevoja.”