Gjatë muajit prill bankat në Kosovë kanë dhënë kredi në vlerë prej 40 milionë euro. BQK-ja thotë se megjithë problemet e shkaktuara nga pandemia Covid19, bankat komerciale kanë qenë të gatshme të aprovojnë kredi. Me pakon e miratuar për rimëkëmbje ekonomike, qeveria parasheh t’ië ndihmojë bizneset për mbulimin e normave të interesit. E bizneset kërkojnë që normat e interesit të jenë më të ulëta.
Kompania Pestova për shkak të pandemisë Covid 19 ka pësuar humbje 20%. Pronari i kësaj kompanie, Bedri Kasumi, i ka thënë Radio Kosovës se për të dalë nga kjo situatë ka aplikuar për kredi. Ai tha këtë e ka bërë me qëllim që të mos i ndërpritet puna.
“Ne nuk guxojmë t’ia lëmë asgjë rastit se a do të bëjë Qeveria apo jo, edhe pse do duhej ta bëjë. Ne do të futemi në kredi edhe më thellë vetëm mos të ndërprehet puna. Do të thotë, kredinë me marr nga banka me shtri në disa vite, dhe normalisht që kjo ka me u rifitu direkt në neto fitim”, u shpreh ai.
Në Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike si masë e parë është zvogëlimi i masës tatimore. Kryeministri Avdullah Hoti tha të martën se me këtë masë Qeveria do të subvencionojë normat e interesit për biznese.
“Planifikojmë që të ndërmarrim masa për të rritur mbulueshmërinë me kredi të reja. Kemi marrë disa zotime për kontributin që do të bëjnë partnerët e ndryshëm për të mbuluar kreditë, dhe subvencionimin e normave të interesit për disa sektorë të caktuar”, tha Hoti.
Janë mbi 40 mijë biznese që kanë aplikuar për shtyrje të afatit të kredive, sipas kryetarit të Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini. Po aq janë edhe kërkesat për të marrë kredi për t’i mbuluar humbjet. Shahini thotë se bankat në Kosovë duhet të miratojnë kredi me interes më të ulët në mënyrë që të ndihmohet sektori privat.
“Sektori financiar bankar duhet të liberalizojë kreditë, të ofrojë mundësi të lira, sepse po që se e ndihmon sektorin privat, do të përfitojë edhe më shumë sektori financiar. Asnjë para nuk jepet pa interes, por ajo duhet te jetë me norma reale të interesit, siç janë në shumë vende të Bashkimit Evropian, e jo si në Kosovë që është më e shtrejta aktualish”, tha Shahini.
Zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti, ka thënë për Radio Kosovën, se me gjithë problemet e shkaktuara nga pandemia nga e cila është prekur edhe sektori bankar, ky sektor ka qenë i gatshëm përpos të aprovojë gati të gjitha kërkesat për shtyerje të pagesës së kësteve të kredive, por edhe të kreditoj ekonominë. Gjatë muajit prill, bankat kanë dhënë kredi të reja që kanë arritur vlerën e mbi 40 milionë euro.