Gjermania mbështet FKGK me 6 milionë €: Ndërmarrjet e vogla e të mesme përfitojnë nga investimet e gjelbra

Prishtinë | 25 Nën 2021 | 10:53 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gjermania përmes Bankës Gjermane për Zhvillim KfW ndau 6 milionë euro shtesë për Fondin Kosovar për Garanci Kreditore (KCGF) për “Dritarën e re të Rimëkëmbjes së Gjelbër” për të lehtësuar më tej efektet e pandemisë, raporton Ekonomia Online.

Nëpërmjet “Dritarës së Gjelbër” mund të jepen garanci të reja për institucionet financiare partnere në dobi të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, veçanërisht në fushën e efiçencës së energjisë, efiçencës së burimeve dhe investimeve në energjinë e ripërtëritshme.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se si qeveri jemi të përkushtuar për pagesën e tarifës prej 5 milionë euro.

“Programi ynë qeverisës prioritizon planifikimin e investimet cilësore me qëllim të zhvillimit të qëndrueshëm dhe infrastrukturës së integruar në harmoni me mjedisin e pastër, mirëqenien dhe mobilitetin”.

“Andaj, marrëveshja e nënshkruar sot në mes të FKGK dhe KfW paraqet një hap të rëndësishëm në përkrahjen e investimeve në energji eficiente dhe diversifikimin e burimeve energjike në Kosovë që përveç që reflektojnë drejtpërdrejtë në ngritje të mirëqenies shoqërore dhe rritje të sigurisë nacionale, gjithashtu luajnë rol të rëndësishëm në rritjen e punësimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit”.

Ambasadori gjerman, Jorg Rohde theksoi se Gjermania ka ofruar mbështetje për Qeverinë e Kosovës në të gjitha fushat, duke sqaruar se janë alokuar 25 milionë euro për garanci kreditore.

“Gjermania është një nga partnerët më të fortë të Kosovës në sigurimin e një sektori financiar të qëndrueshëm dhe modern – qoftë përmes themelimit të bankës së parë në vend, ProCredit Bank, apo Fondit të Sigurimit të Depozitave. Për Fondin Kosovar për Garanci të Kredive të suksesshme, Gjermania ka ndarë gjithsej 24.95 milion euro, 6 milion euro prej të cilave janë duke u zotuar sot për ‘Dritaren e re të Rimëkëmbjes së Gjelbër'”.

“Ai do të mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme kosovare që të investojnë në efikasitetin e energjisë dhe energjinë e rinovueshme dhe të krijojnë – pavarësisht nga pandemia – një numër të konsiderueshëm të vendeve të reja të punës”.

Guvernatori Mehmeti vlerësoi se granti në vlerë prej 6 milionë eurosh, do të mundësojë rritjen e mëtejme të potencialit garantues FKGK-së, duke bërë të mundur rritjen e numrit të përfituesve nga garancionet që lëshon ky institucion, me çka një numër më i madh i individëve apo bizneseve me vështirësi të qasjes në financim kreditor, do të mund të sigurojnë qasje me kushte lehtësuese në këtë burim financimi.

“Kreditimi bankar vazhdon të jetë një burim shumë i rëndësishëm dhe i qëndrueshëm i financimit të sektorit privat në Kosovë. Vlera e kredive bankare deri në shtator 2021 ka arritur në 3.57 miliardë euro, duke shënuar një rritje të konsiderueshme vjetore prej 12.2%. Sidoqoftë, me gjithë trendin e kënaqshëm të rritjes së kreditimit bankar, konsiderohet se shkalla e ndërmjetësimit financiar në Kosovë vazhdon të jetë nën mesataren e vendeve të rajonit, gjë që tregon se, në raport me madhësinë e ekonomisë, ekziston hapësirë e mëtejmë për zgjerim të aktivitetit kredidhënës”i.

Guvernatori ka thënë tutje se pret që përveç mbështetjes së rritjes së financimit kreditor në përgjithësi, portofoli i FKGK-së çdo ditë e më tepër të reflektojë rritjen e mbështetjes kreditore për sektorët me vështirësi më të madhe të qasjes në financim kreditor, por të cilët kanë potencial për të dhënë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit.

Gjermania nëpërmjet Bankës Gjermane për Zhvillim KfW ka kontribuar me 24.1 milionë euro përfshirë këtu edhe marrëveshjen e sotme dhe Asistencë Teknike prej 0.85 milion euro.

Fondi Kosovar për Garanci Kreditore është një institucion i pavarur dhe i qëndrueshëm që lëshon garanci për institucionet financiare për mbulimin e rrezikut kreditor të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM).

Të ngjashme