Bankat të gatshme për dhënien e kredive, varet nga kërkesa e bizneseve

Prishtinë | 30 Maj 2020 | 14:11 | Nga Ekonomia Online

Rimëkëmbja e bizneseve të cilat kanë pësuar humbje nga masat emergjente të qeverisë në detyrë të Kosovës për parandalimin e pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi, mund të realizohet përmes kredive bankare, thonë përfaqësues të komunitetit të biznesit.

Kosova kishte vendosur masat për frenimin e COVID-19 më 13 mars, kur edhe u shënuan rastet e para me këtë virus në vend.

Deri më 4 maj, kur ka filluar faza e parë e masave lehtësuese dhe më pas 18 maj faza e dytë, sipas organizatave ekonomike, bizneset kanë pësuar humbje të mëdha pasi shumica e bizneseve ose kanë qenë të mbyllura ose kanë zhvilluar aktivitet kufizues ekonomik.

Për të rikuperuar dëmet financiare ata po kërkojnë përkrahje financiare nga qeveria, konkretisht që të mundësojnë lehtësira në procedurat për marrjen e kredive nga bankat komerciale.

Shaqir Palushi, pronari i kompanisë “Frutex” nga Suhareka, kompani kjo që merret me prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjike, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se autoritetet shtetërore duhet të krijojnë mundësi për bizneset për marrjen e kredive në bankat komerciale me greis periudhë (një afat i caktuar për mospagimin e kredisë) sepse thotë ai, vetëm garantimi i kredive është i pamjaftueshëm.

“Shumica e bizneseve nuk kanë problem me hipotekë kanë problem me likuiditet dhe me mundësinë e kthimit të këstit të kredisë. Sidomos ato biznese që për tre muaj me radhë nuk kanë operuar fare. E gjithë kjo e bën shumë të vështirë nëse marrin një kredi dhe nuk marrin një greis periudhë të paktën 6 ose 12 muaj, periudhë kjo që bizneset të fillojnë të rimëkëmben”, tha Palushi.

Edhe Astrit Panxha, drejtor ekzekutiv në Klubin e Prodhuesve të Kosovës në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se sektori privat konkretisht industria e prodhimit ka pësuar humbje të mëdha dhe shteti duhet të garantojë kreditë e bizneseve.

“Pa marrë parasysh se a është rifinancim apo kredi e re, kreditë e bizneseve duhet të financohen. Shteti duhet të garantojë 80 për qind të kredisë kurse bankat komerciale duhet të garantojnë 20 për qind të kredisë, kurse norma e interesit të subvencionohet nga qeveria“.

“Nëse bizneset marrin kredi dhe normat e interesit, subvencionet nga qeveria nga 75 deri në 100 përqind, që janë duke e bërë shumë vende të botës. Kjo kredi për investime të reja do të jetë një shtytje e madhe për sektorin e prodhimit,” tha Panxha.

OEAK: Bizneset duhet të përfitojnë nga skema e granteve
Bizneset në Kosovë vazhdimisht janë ankuar për vështirësi në qasje në financa dhe ndihma në kredi thonë se do të lehtësojë punën e bizneseve.

Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, shprehet për Radion Evropa e Lirë se rikuperimi i përgjithshëm ekonomik në Kosovë varet përmes ndihmës së bizneseve private.

Ai thotë se garantimi i kredive dhe subvencionimi i normës se kamatave të kredive do lehtësojë situatën financiare të tyre, por Zeka vlerëson se duhet të gjendën forma tjera edhe për grante.

“Krahas kësaj, bizneset sidomos ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ndërmarrjet prodhuese duhet të përfitojnë edhe nga skemat e granteve që duhet të vihen në dispozicion nga ana e qeverisë në të ardhmen. Qoftë për zgjerim të linjave të tyre ekzistuese për trajnim të fuqisë punëtore apo edhe për investim në standardet e cilësisë që është e nevojshme për biznese që të mund të eksportojnë jashtë vendit produktet e tyre”, shprehet Zeka.

Disa biznese nuk mund të marrin kredi pa ndonjë mbështetje
Bankat komerciale në Kosovë janë të gatshme të kreditojnë ekonominë e vendit, thotë drejtori ekzekutiv në Shoqatën e Bankave të Kosovës, Petrit Balija. Por, sipas tij, kjo varet sa janë të gatshme bizneset për kërkuar kredi.

“Dihet se ka disa kategori të ndryshme të bizneseve. Janë bizneset në kategori që lehtë kanë mundësi të marrin kredi dhe besoj se ato nuk do kenë telashe. Por, ka biznese që janë goditur rëndë financiarisht që nuk plotësojnë kushtet normale për kreditim, dhe në këto raste duhet gjithsesi që të kemi një mekanizëm shtetëror sic është Fondi për Garanci Kreditore që të ndihmojë me kreditimin e bizneseve që janë goditur nga pandemia dhe nuk kanë kapacitete për marrjen e kredive pa ndonjë mbështetje të tillë”, tha Balija për Radion Evropa e Lirë.

Bankat komerciale që operojnë në Kosovë, tha Balija, kanë kapital të mjaftueshëm, kanë likuiditet të mirë dhe janë në pozicion të kreditojnë ekonominë.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, norma efektive e interesit në bankat komerciale është 6. 3 për qind.

Të ngjashme