Kosova ka potenciale të shumta për tërheqjen e investitorëve, ndërsa institucionet shtetërore kanë dështuar që të promovojnë mundësitë për investime para investitorëve të huaj. Kjo u tha në një tryezë të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me bankierin e njohur shqiptaro-amerikan, Richard Lukaj.
Lukaj, i cili është edhe Drejtor i lartë Menaxhues në Bank Street Group LLC, tha se pavarësisht
rezultateve të mëdha në reduktimin e burokracisë, Kosova duhet të vazhdojë me luftimin e ekonomisë joformale dhe adresimin e boshllëkut të shkathtësive, ashtu që të mund të tërheqë me sukses, investimet amerikane dhe ato të huaja në përgjithësi.
Ai më tej tha se pavarësisht faktit që Kosova është një shtet i ri, përparimet vërehen në fusha të shumta, por është për keqardhje që institucionet shtetërore kanë bërë pak në promovimin e mundësive për investime në Kosovë. Ai lavdëroi sistemin bankar në Kosovë, si njërin ndër sektorët, ku investimet e huaja direkte kanë qenë të suksesshme.
Lukaj, i cili njihet edhe për kontributin e tij të madh në filantropi, foli edhe për rëndësinë e
tërheqjes së investimeve nga Diaspora, duke shtuar se kjo pjesë e popullit është dëshmuar me kontributin financiar në periudha të ndryshme kohore.
Në anën tjetër, Ramis Ahmetaj, anëtar i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane në Kosovë, foli
për një shtim të investimeve amerikane në Kosovë në tremujorin e parë të vitit 2018, por tha se
shuma e investimeve është jashtëzakonisht e vogël, sidomos nëse krahasohet me vëllimin e
përgjithshëm të investimeve në amerikane në Evropë që sillen diku në 3.17 trilionë dollarë
amerikanë.