Banorët e lagjeve përreth Parkut Memorial në Prishtinë, që dikur njihej si Përmendorja, kërkojnë nga institucionet e Kosovës ndaljen e trendit të varrosjeve në këtë lokacion, si edhe heqjen e të gjithë eshtrave të trupave që janë varrosur pa të drejtë aty.
Ata thonë se është e papranueshme që një Park Memorial, siç ka qenë që prej 60- vjetësh, të kthehet në varrezë kolektive, ndonëse kjo hapësirë nuk ka qenë e destinuar për varreza, shkruan sot Koha Ditore.
Varre të shumta janë hapur që nga paslufta në këtë hapësirë, ndonëse që nga viti 1960 e deri pas lufte ka ekzistuar vetëm memoriali me emrat e luftëtarëve të Kosovës nga Lufta e Dytë Botërore.