Banorët e Kërvasarit të Malishevës protestojnë ndaj gurëthyesit të ri, Komuna u ofron “përkrahje morale”

Prishtinë | 10 Dhj 2018 | 19:29 | Nga Ekonomia Online

“Jo familjarizimit”, “Pushtet mos helmo rininë”, “Stop shkatërrimi të mjedisit”, “Mos e mbroni krimin” kanë qenë vetëm disa nga mbishkrimet në protestën e banorëve të Kërvasarisë.

Ata, me anë të kësaj proteste, kanë treguar se janë kundër gurthyesit që po ndërtohet në këtë fshat, raporton KTV.

Sipas banorëve, kompania “Beton Grup” po nxjerr dhe përpunon gurin, proces ky që sipas tyre, po e dëmton mjedisin dhe ajrin.

Banorët kanë thënë se fenomeni i hapjes së veprimtarive të gurthyesve po ndikon drejtpërdrejt në jetën e tyre dhe po shndërrohet në një dukuri shqetësuese.

Ata kanë paralajmëruar edhe protesta të tjera deri në realizimin e së drejtës themelore për jetë dhe shëndet të plotë.

Në shenjë proteste, banorët për disa minuta kanë mbyllur derën e komunës duke mos lejuar të hyjë askush brenda.

Ndërkaq, edhe nga Komuna e Malishevës kanë të njëjtin arsyetim se nuk kanë kompetenca, pasi gurthyesi gjendet në pronë private.

Edhe javë më parë, banorët e këtij fshati kanë protestuar para komunës për shkak të hapjes së veprimtarive të shumë gurëthyesve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme