Njohësi i çështjeve Kushtetuese, Mazllum Baraliu, thotë se Ligji për Referendumin duhet të jetë një ndër prioritetet e Qeverisë së ardhshme ngase siç thotë ai ky ligj është obligim kushtetues dhe i domosdoshëm.
Ai në një intervistë për Ekonomia Online thotë se ky ligj u jep mundësi liberale qytetarëve në radhë të parë me më pak nënshkrime, pra sipas tij, qytetarët vijnë në shprehje që të realizojnë të drejtën e tyre me Referendum që është e drejtë demokratike.
“Ligji për Referendumin është obligim kushtetues. Në Kushtetutë thuhet se e drejta e Referendumit njihet në Kosovë, por kjo e drejtë rregullohet me ligji përkatës, fatkeqësisht për shkak të mungesës së interesimit dhe vullnetit politik të administratës së UNMIK-ut për arsye të cilat ata i kanë ditur dhe për shkak të mungesës të vullnetit politik të të gjitha qeverisjeve vendore deri më tani nuk kemi një Ligj për Referendumin. Pikërisht për shkak të disa kërkesave dhe vizioneve, pikëpamjeve që ishin në qeverisjen e kaluar pati një kërkesë nga institucionet tona që të përpilohet një Projektligj për Referendumin dhe ajo ka mbetur në sirtarët e Kuvendit sepse edhe ashtu ajo legjislaturë ishte shumë e zvarritshme dhe joefikase”, ka thënë Baraliu.
“Domosdoshmërish ne duhet të kemi Ligjin për Referendum dhe shtetet të cilat janë serioze në demokraci siç është Zvicra me demokraci të konsoliduar me shekuj për çdo çështje të rëndësishme që qytetarët mendojnë se duhet që të vendoset në mënyrë plebishitare e dërgojnë në Referendum”.
Ai thotë se Kushtetua nuk ka nevojë të ndryshohet që të bëhet Ligji për Referendumin sepse e drejta për Referendum ekziston.
“Ligji për Referendumin i duhet Kosovës, por duhet një ligj serioz që i jep mundësi liberale qytetarëve në radhë të parë me më pak nënshkrime, pra qytetarët vijnë në shprehje që të realizojnë të drejtën e tyre me Referendum që është e drejtë e drejtpërdrejtë demokratike dhe është në plebishitare më e drejtpërdrejtë se çdo e drejtë tjetër sepse kjo që është në Parlament është e drejtë indirekte përfaqësuese ndërkohë që aty qytetarët vetëvendosin për çdo çështje që ata mendojnë që duhet trajtuar në Referendum. Pra është imperativ dhe ndër prioritetet e para të kësaj qeverie që vjen duhet ta bëjë një ligj të merituar dhe gjithëpërfshirës për Referendumin. Nuk ka nevojë të ndryshohet Kushtetua për Ligjin për Referendumin sepse Kushtetuta thotë se e drejta e Referendumit ekziston, por ajo rregullohet me Ligj”, tha ai, raporton EO.
Ai thotë se Kushtetuta e Kosovës ka mekanizma bllokues dhe plotësim-ndryshimi i saj është i bllokuar ngase pa Lisën Serbe dhe pa vullnetin e minoriteteve nuk mund të bëhet asnjë ndryshim esencial.
“Ne vet gjatë përpilimit të kësaj Kushtetute të cilën shumëkush nga eksponentë të qeverive të gjertanishme sidomos të atyre që kanë qenë në pushtet në kohën e miratimit dhe fuqizimit të kësaj Kushtetute kanë thënë që është Kushtetuta ndër më demokratike, në fakt kjo Kushtetutë jo vetëm që nuk është aq demokratike fatkeqësisht dhe gjithëpërfshirëse, por është edhe stagnative. Ne kemi parë proceset, problemet dhe krizat që na kanë pasuar pas miratimit të kësaj Kushtetute dhe një pjesë e madhe e këtyre krizave është e ndërlidhur pikërisht me dispozitat e kësaj Kushtetute”.
“Kjo nënkupton që thjeshtë ndryshimi dhe plotësimi i kësaj Kushtetute është i bllokuar, ka mekanizma bllokues Kushtetuta dhe dispozitat e saj sepse pa Listën Serbe dhe pa vullnetin e minoriteteve nuk mund të bëhet asnjë ndryshim esencial. Pra, ajo që është bllokuese dhe barrierë në këtë Kushtetutë dhe e patejkalueshme dhe shumë e dëmshme, gati e pamundur ta ndryshosh. Do të duhej të kalonte 2/3 e shumicës, pra për çfarëdo ndryshimi duhet të ketë gatishmëri nga 80 deputetët, nga shumica e deputetëve të komuniteteve pakicë”.
Kuvendi i Kosovës vitin e kaluar në parim ka miratuar Projektligjin për Referendum në nivel të shtetit.
E drejta e Referendumit parashihet edhe me Kushtetutën e Kosovës. Mirëpo, neni 81 i Kushtetutës e ndalon të drejtën e Referendumit për disa ligje me interes vital, siç janë: ligjet që ndryshojnë kufijtë e komunave, themelojnë ose shuajnë komuna, përkufizojnë shtrirjen e pushteteve të komunave dhe pjesëmarrjen e tyre në marrëdhëniet ndërkomunale dhe tejkufitare; ligjet që zbatojnë të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, me përjashtim të atyre të përcaktuara me Kushtetutë; ligjet për përdorimin e gjuhëve; ligjet për zgjedhjet lokale; ligjet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore; ligjet për liritë fetare ose për marrëveshjet me komunitetet fetare; ligjet për arsimin; ligjet për përdorimin e simboleve, përfshirë simbolet e komuniteteve dhe për festat publike.